Mesazhi i fortë i Jakup Krasniqit për lirinë e Kosovës

Me pak se 15 orë përpara shpalljes së vendimit të Gjykatës Speciale për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Altini, djali i Jakup Krasniqit, ndan mendimet e tij për rëndësinë e këtyre orëve të fundit.

Ai theksoi se lufta e UÇK-së ka qenë një betejë e pastër dhe e drejtë, duke besuar se liderët e saj kanë luftuar për dinjitetin e popullit shqiptar. Kjo bindje e fortë e motivon atë dhe familjen e tij në këto momente të vështira.

Altini ndau gjithashtu mesazhet e motivimit që i ka dhënë babai i tij, Jakupi, i cili ka theksuar se çdo luftëtar i UÇK-së ka vepruar për një kauzë të drejtë dhe për lirinë e shqiptarëve. Këto fjalë janë një burim frymëzimi për të dhe për ata që e njohin historinë e luftës.

“Baba gjithmonë na ka inkurajuar. Ai ka thënë se lufta e UÇK-së, jo vetëm e tij, por e çdo ushtari, ka qenë e drejtë dhe për dinjitetin e popullit shqiptar. UÇK-ja ka bërë një luftë të pastër dhe nuk ka asnjë vendim që mund të ndryshojë krenarinë që kemi për këtë Ushtri Çlirimtare të Kosovës,” tha Altini për KosovaPress.

Ai shprehu gjithashtu dëshirën e tij për lirimin e babait, duke pranuar se ndjen dhimbje për situatën aktuale, por theksoi se dhimbja më e madhe do të ishte nëse Jakup Krasniqi nuk do të kishte qenë pjesë e UÇK-së.

“Unë jam shumë krenar për rrugën që ka zgjedhur baba im. Edhe pse ndiej dhimbje, më e madhe do të ishte nëse ai nuk do të kishte qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e ndërtimit të shtetit tonë. Çdo vendim që merret sot do ta bëjë atë dhe shokët e tij heronjtë e Kosovës,” shtoi ai.

Altini njoftoi se do të apelojnë çdo vendim që nuk do të jetë në favor të ish-krerëve të UÇK-së, por theksoi se nëse vendimi është negativ, duhet pranuar me qetësi dhe maturi.

“Duhet të jemi të bashkuar, kjo është përtej politikës. Ne duhet të largojmë përçarjet dhe të punojmë së bashku për të zhvilluar vendin tonë dhe për të krijuar një shoqëri demokratike. Ne si familje do të apelojmë çdo vendim që nuk është i drejtë. Prova dhe dëshmi që e inkriminojnë luftën e UÇK-së nuk ka, dhe çdo vendim që nuk është në pafajësinë e tyre është i padrejtë dhe politik,” përfundoi Altini.

Seanca ku do të shpallet vendimi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin do të fillojë nesër në orën 10:00.

Nga Rubrika