Skena e artistëve shqiptarë në diasporë nuk mbetet asnjëherë e qetë për shumë gjatë, por këtë herë gjërat janë bërë mjaft personale.
Së fundmi, dy artistët e rinj Nevu dhe Tani kanë prishur raportet e tyre publike dhe profesionale. Ata kishin realizuar dy bashkëpunime, “Gota” dhe “Choco”, por duket se marrëveshja mes tyre ka përfunduar jo mirë.
Gjithçka ka dalë në dritë kur Nevu u zgjua dhe pa që Tani i kishte fshirë pjesët e tij nga të dyja këngët në platformat muzikore. Përmes disa postimeve në Instagram, Nevu e shpjegoi situatën për ndjekësit duke u shprehur: “Zgjohem sot dhe shoh se ai i ka ngarkuar përsëri ‘Gota’ dhe ‘Choco’, duke i hequr pjesët e mia”.
Ai shtoi se pikërisht ato pjesë e bënin projektin interesant dhe sillnin dëgjues, ndërsa e përmbylli me ironi duke i thënë Tanit ta gëzojë këtë famë, pasi sipas tij ai po jeton në një flluskë.
Përtej heqjes së vargjeve, krisja ka ardhur edhe për shkak të strategjisë së promovimit të projekteve. Nevu ka treguar se dyshja kishte pasur një mospajtim pasi Tani kishte kërkuar të paguanin para për t’u futur në listat e dëgjimit. Në postimet e tij, Nevu e perifrazon Tanin t’i ketë thënë: “A nuk i ke 300 franga për playlist-a?”.
Nevu theksoi se e kishte refuzuar këtë kërkesë sepse e njeh mirë fanbazën e tij dhe nuk ka nevojë të paguajë. Ai po ashtu citoi statistikat, duke i thënë Tanit se bashkë me të arrin 10 mijë dëgjime në 24 orë, ndërsa kur publikon solo i duhen 20 ditë për të njëjtat shifra.
Ky fakt u dëshmua edhe nga statistikat e Spotify, ku Nevu numëron mbi 156 mijë dëgjues mujorë, një diferencë e dukshme me 94 mijë dëgjuesit e Tanit.
Përplasja mes djemve ka kaluar edhe në biseda me tone më personale. Është kuptuar se e dashura e Tani i ka shkruar Nevu duke i thënë që është “i fiksuar pas të dashurit tim”.
Nevu i është përgjigjur me qetësi duke i thënë se thjesht po ia rikthen famën dhe se ndoshta tani do të mund t’i blejë më në fund një çantë Gucci partneres së tij. Në fund, artisti u shpreh i zhgënjyer nga e gjithë situata, duke thënë se ai thjesht dëshiron të bëjë muzikë, por ndjen se po shfrytëzohet nga njerëz që vetëm pak vite më parë e kishin injoruar. /Prive By Liberta Spahiu.
