“Nuk bëhet një dokumentar për një trajner që nuk ka fituar asgjë. Unë kam lindur në futboll, e jetoj çdo ditë të jetës sime dhe pa të do të ndihesha i paplotë. Çfarë ndjesie është të fitosh? Për mua është normale, kam fituar gjithë jetën”. Kështu nis dokumentari i Netflix për José Mourinho, një rrëfim që nis në Setúbal dhe arrin deri në majën e botës.
Mourinho, një emër që është bërë sinonim i suksesit në futboll, ruan me krenari trofetë e tij në shtëpinë e tij. Mes tyre, këpucët e Maradonës dhe fanella e parë e Cristiano Ronaldos te Sportingu janë kujtime të çmuara. Ai thotë për epitetin “Special One”: “Nuk jam ndier kurrë i tillë”, duke theksuar modestinë e tij përballë suksesit.
Kur mbërriti te Chelsea në vitin 2004, Mourinho u përball me skepticizëm, pavarësisht se sapo kishte fituar Champions-in me Porton. “E konsideroj veten një ‘Special One’”, tha ai, duke e habitur Sir Alex Ferguson, i cili pyeti: “Nuk ka luajtur ende asnjë ndeshje dhe e quan veten ‘Special One’?”
Pas dy titujve të Premier League radhazi, marrëdhënia e tij me Abramovich u prish. Ai kujton: “Nuk ishte më Chelsea ynë. U ndjeva i tradhtuar dhe doja hakmarrje”. Pas shkarkimit, lojtarët e tij ishin të trishtuar, me John Terry që tha: “Jose kishte një mënyrë magjike për të na fituar”.
Një nga përvojat e tij të para ishte te Barcelona me Bobby Robson, ku ai studioi futbollin me intensitet. I quajtur “përkthyes”, ai vazhdoi të ndërtonte ëndrrën e tij. Më 2008, ai kaloi te Interi, ku arriti të fitojë tripletën historike sezonale me zikaltrit.
Interi, hakmarrja dhe apoteoza e Tripletës…
Massimo Moratti, presidenti i Interit, ishte i impresionuar nga dashuria e tifozëve për Mourinhon dhe e kërkoi me çdo kusht. Në sezonin e tij të parë, Mourinho fitoi Superkupën dhe titullin kampion, por synimi i tij ishte Champions-i.
Pas largimit të Ibrahimovic drejt Barcelonës, Mourinho i tha Moratti: “Nëse marrim pesë lojtarë, fitojmë Champions-in”. Moratti pranoi, duke e mbështetur atë në kërkesat e tij. Transferimi i Ibrahimovic solli edhe Samuel Eto’o. Në çerekfinale, Mourinho përballi Chelsea: “Po luaja kundër Abramovich, jo kundër lojtarëve të Chelsea. Ishte një sfidë mes meje dhe atij. Doja hakmarrje”.
Në gjysmëfinale, Interi përballej me Barcelonën. Në “Camp Nou”, ekipi luajti pothuajse gjithë ndeshjen me një lojtar më pak. Mourinho u tha lojtarëve se nuk ishte një ndeshje, por një luftë për të mbijetuar. Interi arriti të rezistonte dhe kaloi në finale.
Në finale, përballë Bayernit, Mourinho arriti tripletën, por kishte vendosur tashmë të largohej: “Tek Interi gjeta dashuri, respekt dhe një skuadër që ishte gati të më ndiqte kudo. Megjithatë, dëshira ime për Real Madridin ishte më e fortë”. Pas triumfit, ai nuk u kthye me skuadrën zikaltër në Milano: “Iu arratisa emocioneve të mia. Puna tek Interi kishte përfunduar”.