Një ngjarje e papritur dhe e dhimbshme ka ndodhur gjatë ceremonisë mortore të kushëririt të këngëtarit të njohur Bledar Hoxhaj në Fier, ku ai ka denoncuar një vjedhje të rëndë.
Ngjarja, e cila ka ndodhur rreth orës 10:00, përfshin një person të paidentifikuar që ka arritur të futet në automjetin e Hoxhajt, një Audi Q5 me ngjyrë gri të errët, dhe të marrë paratë që ndodheshin brenda portofolit të lënë në makinë.
Momenti i vjedhjes është regjistruar nga kamerat e sigurisë, ku duket qartë se si autori hyn në automjet dhe më pas largohet me një Opel të ngjyrës gri të hapur, duke u larguar nga vendngjarja.
Këngëtari ka bërë të ditur se ka publikuar rastin në rrjetet sociale, duke kërkuar ndihmën e qytetarëve që mund të kenë informacion mbi autorin ose automjetin e tij. Ai ka njoftuar gjithashtu se pamjet do t’i dorëzohen autoriteteve për hetim të mëtejshëm.
“Gjatë ceremonisë mortore të vëllait tim, rreth orës 10 e pak minuta, një person është futur në makinën time Audi Q5 dhe ka marrë vetëm paratë që ndodheshin brenda portofolit. Portofolin e kam lënë në makinë”, ka shkruar Hoxhaj në postimin e tij.
Ai ka theksuar se ngjarja ka ndodhur pikërisht në momentin kur ai po përcillte të afërmin e tij për në banesën e fundit, duke e bërë situatën edhe më të dhimbshme.
“Në një ditë zie, kur isha duke përcjellë vëllain tim për në banesën e fundit, është shumë e dhimbshme të ndodhë edhe diçka e tillë”, përfundon këngëtari, duke kërkuar që denoncimi të shpërndahet për të ndihmuar në identifikimin e autorit.