E diel, 6 Tetor, 2024
13.6 C
Pristina

Në 25-vjetorin e masakrave të Studenicës dhe Llashticës, Osmani: Nuk do të ndalemi asnjëherë në kërkim të drejtësië

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në 25-vjetorin e masakrës së Studenicës dhe të Llashticës, ka thënë se Barbaria e regjimit kriminal nuk njohu moshë, prandaj drejtësia është e domosdoshme.

Osmani, në një postim në Facebook, ka thënë se 25 vite më parë, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, në një nga ofansivat e tyre për shfarosjen e shqiptarëve dhe spastrimin etnik masakruan 6 të moshuar dhe 4 vajza të mitura të moshës 12-15 vjeçe, të familjeve Lipaj – Zeqiraj në Studenicë të Istogut.

“Barbaria e regjimit kriminal nuk njohu moshë, prandaj drejtësia është e domosdoshme dhe nuk do të ndalojmë asnjëherë në kërkim të saj”, ka shkruar Osmani.

Ajo tha se “të njëjtën ditë, më 13 prill 1999 makineria vrastare e Serbisë në Llashticë të Gjilanit, pushkatoi e më pas dogji 13 shqiptarë, ndër të cilët edhe Fisnik Shabanin, 2 vjeçar”.

“Drejtësia për ta është angazhim i pareshtur i yni. Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri”, ka shkruar Osmani. /Telegrafi/

Nga Rubrika