Web Analytics
E mërkurë, 3 Shtator, 2025
17.7 C
Pristina

Nënshkruhet Kodi i Sjelljes për përdorimin e përgjegjshëm të rrjeteve sociale gjatë zgjedhjeve lokale

Përfaqësues të partive politike, organizatave të shoqërisë civile dhe mediave kanë nënshkruar zyrtarisht Kodin e Sjelljes për Përdorimin e Përgjegjshëm të Rrjeteve Sociale gjatë fushatës për zgjedhjet lokale në Kosovë.

Kjo nismë është realizuar në bashkëpunim me Demokraci për Zhvillim (D4D) dhe Qendrën për Dialog Humanitar (HD), duke shënuar herën e dytë të këtij partneriteti pas bashkëpunimit të suksesshëm në zgjedhjet lokale të vitit 2021.

Në ceremoninë e nënshkrimit në të cilën është edhe Telegrafi.com u theksua rëndësia e ndërtimit të një hapësire online të respektueshme, transparente dhe gjithëpërfshirëse.

U rikujtua se debati politik dhe mospajtimet janë pjesë e demokracisë, por ato duhet të zhvillohen me përgjegjësi dhe respekt.

Kodi i Sjelljes përcakton disa parime kryesore, përfshirë:

respektimin e ligjeve zgjedhore dhe standardeve etike në platformat online,

parandalimin e dezinformimit, gjuhës së urrejtjes dhe përmbajtjeve të dëmshme,

nxitjen e dialogut konstruktiv mes partive, mediave dhe qytetarëve,

garantimin e pjesëmarrjes së barabartë për gratë, pakicat dhe grupet e margjinalizuara.

Një element i rëndësishëm i këtij kodi është monitorimi i hapësirës digjitale, i cili do të realizohet nga një staf i dedikuar dy javë para nisjes së fushatës dhe gjatë gjithë kohëzgjatjes së saj.

Ky monitorim do të përfshijë identifikimin dhe dokumentimin e rasteve të shkeljes së Kodit, sidomos në lidhje me dezinformimin, gjuhën e urrejtjes, ngacmimin dhe mungesën e transparencës. Raportet javore do të pasohen nga një raport përfundimtar pas zgjedhjeve.

Sipas organizatorëve, kjo nismë ka për qëllim të mbrojë integritetin e diskursit demokratik dhe të garantojë një mjedis online të sigurt e gjithëpërfshirës.

Partitë që nuk morën pjesë në ceremoninë e sotme për shkak të angazhimeve të tjera, kanë mundësinë të kontaktojnë D4D për ta nënshkruar Kodin dhe për të shprehur zotimin e tyre ndaj këtyre standardeve./Telegrafi/

PROMO

Nga Rubrika