Nis faza vendimtare e zgjedhjeve, KQZ hap sot kutitë e diasporës dhe votave me kusht

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të nisë sot procesin e numërimit të votave të diasporës, votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, pas përfundimit të numërimit të mbi 97 për qind të votave të rregullta nga zgjedhjet parlamentare.

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur se rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve nuk mund të shpallen pa përfunduar numërimi i të gjitha kategorive të votave.

Sipas tij, nga dita e sotme fillon procesi i numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit, ku do të trajtohen votat e ardhura nga diaspora, votat me postë, ato nga përfaqësitë diplomatike, si dhe votat me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

“Rezultati përfundimtar do të jepet pasi të numërohen votat e diasporës, ato me postë dhe ato në përfaqësi diplomatike, po ashtu votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta”, ka deklaruar Radoniqi.

Ai ka sqaruar se dinamika e nisjes së procesit do të ndryshojë nga komuna në komunë.

Në shumicën e komunave, numërimi do të fillojë nga ora 16:00, ndërsa në komunat më të vogla procesi do të nisë që nga ora 09:00 e mëngjesit.

Sipas Radoniqit, vonesa në disa komuna lidhet me nevojën për grumbullimin dhe sistemimin e materialit zgjedhor gjatë natës, si dhe për t’u dhënë pushim ekipeve të angazhuara në proces.

Numërimi i këtyre votave konsiderohet faza e fundit para certifikimit të rezultateve përfundimtare, të cilat pritet të përcaktojnë përbërjen finale të Kuvendit të Kosovës.

Nga Rubrika