Seriali turk “Mercan Köşk” ka arritur të tërheqë vëmendjen e publikut që në episodin e tij të parë, duke u shfaqur në ekranin e ATV-së me një histori që ngjall emocione të forta.
Ky projekt ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në platformat digjitale, duke arritur mbi 6 milionë shikime në YouTube brenda një periudhe të shkurtër kohore, duke e bërë atë një nga serialet më të ndjekura të momentit.
Historia e “Mercan Köşk” është një përzierje e pasionit dhe hakmarrjes, e cila zhvillohet mes kopshteve me portokalle. Ngjarja fokusohet në përplasjen e dy familjeve, Mercandağ dhe Hozan, ku e vërteta e mbuluar nga sekretet e së kaluarës dhe e ardhmja e brezave të rinj krijojnë tension dhe mister.
Pjesa më e veçantë e këtij seriali është prania e aktorit dhe këngëtarit të njohur shqiptar Bertan Asllani, i cili interpreton rolin e Toprakut. Në rolet kryesore, ai ndan skenën me aktorë të njohur si Kubilay Aka (Aras) dhe Hafsanur Sancaktutan (Cemre).
Episodi i parë ka arritur të kapë vëmendjen e shikuesve falë historisë emocionuese, intrigave të fshehta të personazheve dhe një narrativi dinamik që tërheq vazhdimisht interesin e publikut.
Kasti i pasur përfshin gjithashtu aktorë të njohur si Mehmet Özgür, Zeyno Eracar, Ulviye Karaca, Tülin Özen, Halil Babür, Haki Biçici, Can Bartu Aslan, Zehra Kelleci, Merve Şeyma Zengin, Selin Köseoğlu dhe Berna Cındıl, të cilët kontribuojnë në krijimin e një atmosfere të jashtëzakonshme.
Xhirimet e këtij seriali, që ka arritur të mbërthejë menjëherë audiencën, po realizohen në ambientet piktoreske të Tarsusit dhe Çukurovës, duke sjellë një pamje të bukur dhe autentike për shikuesit. /Prive By Liberta Spahiu