Së fundmi, Lediana, vajza e këngëtares së njohur Fjolla Morina, ka vendosur të reagojë publikisht ndaj komenteve paragjykuese dhe mesazheve negative që ka marrë nga ndjekësit në rrjetet sociale.
Përmes një videoje sqaruese të publikuar në llogarinë e saj në TikTok, ajo ka vendosur pikat mbi “i” rreth raportit me nënën e saj dhe lidhjes jetësore me gjyshërit.
Shkas për këtë reagim u bë një koment i lënë nga një ndjekës në një prej videove të saj, i cili i shkruante: “Gjyshen me dasht është mrekulli, por mos me pranu ekzistencën e nënës që të ka pru në jetë, kjo është e mërzitshme.
Uroj që të reflektosh e t’i duash të dyja.”
Përballë këtij konstatimi, Lediana sqaroi se deklaratat e saj të mëparshme janë keqinterpretuar dhe se ajo në asnjë moment nuk e ka fshirë apo mohuar figurën e nënës nga jeta e saj.
“Dua ta përsëris të njëjtën gjë që e kam thënë edhe më herët në një emision ku kam qenë e ftuar: që nga dita që kam lindur, jam pjesë e gjyshes sime dhe e gjyshit tim.
Por asnjëherë nuk kam thënë që nuk e pranoj nënën time si nënë apo që mohoj ekzistencën e saj.
Thjesht, unë jam një njeri që jam rritur me gjyshin dhe gjyshen,” — theksoi Lediana në video.
Më tej, ajo shpjegoi se përse lidhja e saj me gjyshërit është kaq e fortë, duke përmendur praninë e tyre të vazhdueshme në çdo moment të rëndësishëm, si një prind i vërtetë.
“Për mua, në momentet më të rëndësishme — kur kam qenë e sëmurë, në ditën e parë të shkollës, në mbledhjet e prindërve — gjithmonë kanë qenë gjyshja ime dhe gjyshi im.
Çdo gjë që kam arritur në këtë jetë lidhet me ta.
Njerëzit që nuk janë rritur pa prindër, por me gjyshërit, mund ta kenë të vështirë ta kuptojnë këtë.
Megjithatë, ata që e kanë përjetuar një situatë të tillë, e kuptojnë shumë mirë çfarë dua të them.”
Për ta mbyllur këtë diskutim dhe për t’u dhënë fund aludimeve të ndjekësve, Lediana u shpreh se mirënjohja dhe dashuria për njerëzit që e rritën mbetet unike dhe e pazëvendësueshme.
“Mënyra se si po perceptohet, sikur unë nuk e konsideroj nënën time, është krejtësisht e gabuar.
Thjesht, dashurinë që kam për gjyshin dhe gjyshen nuk mund ta zëvendësojë askush — as nëna, as babai.
Besoj që tani është e qartë për të gjithë.”/Prive By Liberta Spahiu