Një operacion i rrallë spiunazhi u zhvillua këtë të enjte, më 17 korrik, në Kosovë.
Objektiv i këtij operacioni ishte një zyrtar i Policisë së Kosovës, Bojan Jevtiq, i cili dyshohet për rrjedhje të informacioneve të ndjeshme te shërbimet sekrete të shtetit serb.
Televizioni Dukagjini ka publikuar pamje nga arrestimi i tij dhe operacioni i sotëm i Inspektoratit Policor të Kosovës, AKI-së dhe Prokurorisë Speciale.
Krejt çka ndodhi në këtë operacion është mahnitëse.
E dyshimet janë të forta, se ai bashkëpunoi me BIA-n serbe duke shpërndarë informacione konfidenciale me ta.
“Janë dyshime të bazuara, janë dyshime të provuara nga ana e IPK-së në bashkëpunim me AKI-në ku i kemi faktu dyshimet tona lidhur me veprën penale “spiunazhi””, ka thënë drejtori i hetimeve në IPK, Bardhyl Haxhimustafa.
Aktet e spiunazhit janë marrë shumë seriozisht, dhe ky rast është një prej të paktave operacione të këtij lloji që ndodhin në Kosovë.
Dhe gjithçka shkoi sipas planit, kur ai kishte marrë rrugën për t’u nisur në punë, në pritë i dolën hetuesit e iu kumtua arsyeja e prangosjes.
Urdhri i Prokurorisë ishte që menjëherë pas ndalimit, hetuesit të nisin për bastisje.
Në shtëpinë e të dyshuarit për spiunazh, hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës aktualisht po kryejnë bastisje.
Bastisja disa orëshe në shtëpinë e Bojan Jetviqit nuk i la duarthatë hetuesit e forenzikës së Policisë së Kosovës.
Aty janë gjetur disa dokumente që organet e drejtësisë besojnë se janë prova konkrete për bashkëpunimin e zyrtarit policor serb me BIA-n.
Gjithashtu, është konfiskuar edhe një armë e padeklaruar dhe mijëra para të gatshme.
Pas kësaj bastisjeje, radhën e ka zyra e të dyshuarit tek pika kufitare, Dheu i Bardhë.
Që në bazë të planit, është pika e dytë që po bastiset, merren veprime edhe për suspendimin e tij.
“Është informuar Shefi i Operativës së Drejtorisë rajonale të Policisë kufitare i cili e ka përfunduar suspendimin e zyrtarit policor për 72 orë apo tri ditë pune. Do të bëhet rekomandimi tek Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe vazhdon suspendimi i zyrtarit deri në përfundim të hetimit”, ka thënë Haxhimustafa, drejtor i hetimeve në IPK.
Pas kësaj bastisjeje, ekipet nisen drejt objektit të Inspektoratit Policor të Kosovës, ku Bojan Jetviq, që është pjesë e Policisë së Kosovës që 23 vjet, do të merret në pyetje.
Operacioni që përfundoi me sukses, siç u planifikua, nuk do të ishte i mundur pa një bashkëpunim të kahershëm të institucioneve të vendit.
Kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj, këtë bashkëpunim po e vlerëson jetik.
“Fillimisht informacionet kanë ardhur nga AKI-ja dhe janë përpunuar pastaj në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, kemi arritur të krijojmë dyshimin e arsyeshëm dhe të bazuar për të realizuar këto veprime sot dhe besoj që është një shembull i mirë që ku institucionet e zbatimit të ligjit bashkëpunojnë në këtë nivel, edhe rezultatet janë të tilla”, ka thënë Hodaj.
Bojan Jetviq kishte bartur gradën e togerit në Policinë e Kosovës, dhe kryesisht aktivitetin e tij profesional e ka në zonën e Anamoravës, ndërsa jeton në një fshat të Komunës së Kamenicës.
Detaje për aksionin ka dhënë edhe Prokuroria Speciale e Kosovës, që treguan se gjatë bastisjeve, janë sekuestruar prova materiale siç janë: dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, disa telefona të mençur, usb, një armë e shkurtër, municion, para të gatshme në vlerë prej 10.000 euro, 2 milionë denarë serbë, 600 franga zvicerane dhe prova tjera të cilat do të ekzaminohen gjatë procedurës hetimore.
Ky rast është një tregues i qartë se spiunazhi dhe tradhtia e informacionit janë çështje që kërkojnë vëmendje maksimale nga institucionet e sigurisë në Kosovë.
Shqetësimet për sigurinë kombëtare janë rritur në vitet e fundit, dhe ky operacion është një dëshmi për angazhimin e institucioneve për të siguruar integritetin e informacionit sensitive.
Sinjalet për spiunazh nuk duhet të injorohen asnjëherë, dhe ky rast shërben si një shembull i rëndësishëm se si veprimi i institucioneve të drejtësisë mund të ndihmojë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
Operacionet e tilla intensifikojnë nevojën për kontrolle më të forta dhe për bashkëpunim ndërinstitucional në luftën kundër krimit të organizuar dhe aktiviteteve spiunazhi.
Ne ju inkurajojmë të ndani mendimet tuaja mbi këtë ngjarje të rëndësishme. **Komento edhe ti në Facebook – bashkohu diskutimit!**