Një ngjarje e pazakontë ka tronditur Klinikën Emergjente në QKUK, ku një paciente është lënë e vetme për më shumë se 24 orë nga familjarët e saj.
Rreth orës 16:00 të ditës së djeshme, pacientja u soll nga familjarët për trajtim, por pas kësaj ata kanë ndërprerë çdo kontakt me stafin mjekësor.
Familjarët kishin kërkuar që të njoftoheshin kur të përfundonin procedurat mjekësore, por pas kësaj, ata nuk janë përgjigjur as për Policinë e Kosovës.
Policia ka bërë përpjekje të shumta për të kontaktuar të afërmit e pacientes, por i biri, që e kishte dërguar për trajtim, nuk ka hapur telefonin për asnjë nga organet e rendit.
Situata ka detyruar personelin shëndetësor të marrë përsipër jo vetëm trajtimin e pacientes, por edhe kujdesin e saj të përditshëm, duke përfshirë ushqimin dhe mbështetje të tjera.
Ky rast ka ngritur shqetësime të mëdha për përgjegjësinë e familjarëve dhe përkushtimin e sistemit shëndetësor në trajtimin e rasteve të tilla.
Stafi mjekësor ka shprehur shqetësimin për situatën dhe ka bërë thirrje për një rregullim më të mirë të komunikimit mes pacientëve dhe familjarëve të tyre.
Ky incident tregon se si ndonjëherë, në momente të vështira, ata që duhet të jenë mbështetje, mund të zhduken, duke lënë pacientët në një situatë të vështirë dhe të pasigurt.