Pas ndarjes së bujshme nga Elijona, Klodi ka vendosur të dalë publikisht për të sqaruar situatën dhe për të hedhur poshtë thashethemet që kanë qarkulluar rreth marrëdhënies së tyre.
Ish-banori i “Big Brother VIP Kosova” ka reaguar përmes një postimi në Instagram, ku mohoi me forcë akuzat për tradhti dhe keqtrajtim gjatë lidhjes me Elijonën.
“E di që ka shumë teori që qarkullojnë, por është e kotë të merrem me to. Nuk ka pasur asnjë tradhti dhe asnjë keqtrajtim nga ana ime. Kam dëgjuar shumë gjëra që më kanë prekur, si për mua ashtu edhe për familjen time,” shkruan Klodi në postimin e tij.
Ai theksoi se, pavarësisht ndarjes, ndjenjat e tij për Elijonën mbeten të forta dhe me respekt. Klodi zgjodhi të mos zbulojë detaje të tjera rreth arsyes që çoi në përfundimin e marrëdhënies së tyre.
“Koha do të tregojë çdo gjë,” përfundoi ai, duke lënë hapur mundësinë për interpretim rreth shkakut të ndarjes.
Pak më parë, Elijona kishte konfirmuar publikisht se marrëdhënia e tyre kishte përfunduar, duke theksuar se të dy kishin vendosur të vazhdonin jetën veçmas, me një qasje të respektueshme ndaj njëri-tjetrit.
Dyshimet për ndarjen e tyre filluan kur ata hoqën njëri-tjetrin nga Instagrami dhe fshinë fotografitë e përbashkëta, veprime që ndodhën pas përfundimit të xhirimeve të Klodit për reality show-n italian “The Fifty Italia”.
Tashmë, me konfirmimin e ndarjes nga të dy, Klodi ka hedhur poshtë çdo pretendim për tradhti, duke lënë të hapur pyetjen se çfarë e çoi çiftin drejt këtij vendimi. Arsyeja e vërtetë mbetet ende një mister për publikun.