Përdorimi i paracetamolit gjatë shtatzënisë: Çfarë thotë një studim i ri?

Një studim i fundit ka ngritur shqetësime të reja mbi përdorimin e paracetamolit gjatë shtatzënisë, duke zbuluar lidhje të mundshme me ndryshime në organet riprodhuese të vajzave të sapolindura.

Ky hulumtim, i publikuar në revistën Human Reproduction Open, shqyrtoi gra shtatzëna në Danimarkë dhe foshnjat e tyre, duke zbuluar se vajzat që ishin ekspozuar ndaj paracetamolit gjatë shtatzënisë kishin vezore që ishin mesatarisht 40 për qind më të vogla, mitër 13 për qind më të vogël dhe 23 për qind më pak folikula ovariane.

Ndryshimet e evidentuara në strukturat riprodhuese mund të kenë implikime për rezervën ovariane dhe fertilitetin e mundshëm në të ardhmen. Megjithatë, studiuesit theksojnë se vajzat nuk janë ndjekur mjaftueshëm gjatë jetës për të përcaktuar nëse do të përballen me probleme të vërteta të fertilitetit.

“Gratë nuk duhet të shqetësohen nga këto gjetje, pasi studimi nuk tregon një lidhje të drejtpërdrejtë mes paracetamolit dhe këtyre ndryshimeve”, ka shpjeguar doktoresha Margit Bistrup Fischer, autorja e studimit.

Ajo theksoi se kërkime të mëtejshme janë të nevojshme për të kuptuar nëse ndryshimet janë shkaktuar nga paracetamoli ose nga arsyet për të cilat është përdorur, si dhimbja, temperatura e lartë apo infeksionet.

Ekspertët e shëndetësisë vazhdojnë të theksojnë se paracetamoli mbetet një nga opsionet më të sigurta për gratë shtatzëna. Rekomandimet aktuale për përdorimin e tij gjatë kësaj periudhe nuk kanë ndryshuar.

Kolegji Amerikan i Obstetërve dhe Gjinekologëve (ACOG) ka theksuar se gjetjet e këtij studimi nuk janë të mjaftueshme për të ndryshuar udhëzimet e përdorimit të paracetamolit.

Paracetamoli, i njohur gjithashtu si Tylenol në SHBA, konsiderohet ende një ilaç i sigurt për trajtimin e dhimbjeve dhe temperaturës gjatë shtatzënisë, nëse përdoret në doza të përshtatshme dhe vetëm kur është e nevojshme.

“Tylenoli është ilaçi më i sigurt që kemi në dispozicion kur nevojitet”, ka thënë doktori Hugh Taylor nga Universiteti Yale, duke shtuar se përdorimi i tij duhet të jetë i arsyeshëm.

“Nuk duhet ta marrim si karamele. Por është ilaçi më i sigurt për t’u përdorur gjatë shtatzënisë kur është i nevojshëm”, ka theksuar ai.

Një tjetër ekspert, doktori Gavin Stewart, ka paralajmëruar se studimi është relativisht i vogël dhe mund të ketë nevojë për interpretim të kujdesshëm përpara se të nxirren konkluzione të qarta.

[[M1]]
[[M2]]

Nga Rubrika