Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në fshatin Vuno, ku Arjan Konomi ka përjetuar një përplasje me Kryeministrin Edi Rama, e cila ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale.
Konomi, i cili është shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Himarës, ka ndarë detaje të incidentit përmes një videoje në Instagram, duke e përshkruar situatën si të tensionuar dhe të papritur. Ai thekson se gjithçka ka nisur për shkak të gjobave të vendosura ndaj automjeteve të parkuara në fshat.
“Përshëndetje, sapo kam dalë nga komisariati i policisë së Himarës, pas përplasjes me kryeministrin Edi Rama këtu në Vuno,” shprehet Konomi në video.
Sipas tij, shumë automjete ishin gjobitur gjatë mëngjesit, duke shkaktuar pakënaqësi mes banorëve. Konomi tregon se, teksa po kthehej nga mbledhja e fiqve, ka hasur në Kryeministrin dhe eskortën e tij pranë një lokali, ku automjetet e tyre ishin parkuar në një zonë të ndaluar.
Ai ka vendosur të filmojë situatën dhe t’u kërkojë efektivëve të policisë një shpjegim përse nuk vepronin njësoj ndaj automjeteve të Kryeministrit siç kishin vepruar me banorët e zakonshëm.
“Atëherë nisa të bëja një video dhe t’i thosha policisë pse nuk gjobisni dhe kryeministrin, pse nuk gjobisni dhe këto makinat që janë këtu siç keni gjobitur para pak kohësh,” shprehet ai.
Konomi tregon se Rama e ka thirrur pranë tavolinës dhe e ka ftuar disa herë të ulej, por ai ka vazhduar të flasë për problemin e parkimit dhe gjobat që u janë vendosur banorëve.
“Pse nuk bëni një parkim? Pse ne duhet të marrim gjoba? Domethënë duhet të gjobiten banorët këtu të vendit edhe ata pak turistë që vijnë këtu?” thotë Konomi se i është drejtuar kryeministrit.
Ai vazhdon të tregojë se gjatë bisedës ka ndërhyrë edhe bashkëshortja e Kryeministrit, Linda Rama, dhe se debati ka vazhduar për disa momente, duke u bërë gjithnjë e më i tensionuar.
Konomi pretendon se situata ka marrë një kthesë kur truprojat e Kryeministrit kanë ndërhyrë, duke e shqetësuar atë dhe duke i marrë telefonin.
“Katër bodigardë, më rrëmbejnë telefonin… më ngrenë peshë,” deklaron Konomi, duke theksuar se videot që kishte regjistruar ishin fshirë.
Përfundimisht, ai është shoqëruar nga efektivët në Komisariatin e Himarës, nga ku është larguar më vonë. Konomi gjithashtu pretendon se Kryeministri ka kërkuar ndërhyrjen ndaj tij gjatë incidentit.

Deri tani, nuk ka pasur një version të palës tjetër mbi incidentin dhe rrethanat që çuan në shoqërimin e tij në polici, duke lënë hapur shumë pyetje për këtë ngjarje të pazakontë.