Një ngjarje e papritur ka ndodhur në Berat, ku Egla Ceno ka zbuluar një përplasje të ashpër me kryeministrin Edi Rama gjatë një takimi të rëndësishëm mbi reformën territoriale.
Ceno, e cila përfaqësonte Poliçanin në këtë takim, ka ndarë detaje të rëndësishme përmes një interviste me “VIP Magazine”, duke treguar se ishte e pranishme së bashku me qytetarë nga bashkitë Poliçan dhe Dimal.
Ajo ka shpjeguar se ministri Besfort Lamallari fillimisht u dha fjalën qytetarëve, por pas disa komenteve, kryeministri ndërhyri duke theksuar se takimi nuk ishte organizuar për të dëgjuar përmirësimet në jetesën e qytetarëve të Poliçanit.
“Pas një periudhe të shkurtër, ku Rama shpjegoi arsyet për reformën, ai filloi të bënte pyetje, por nuk lejonte askënd të përgjigjej. Kur e pyeta nëse do të dëgjonte, ai më tha: ‘Dil jashtë’”, tha Ceno.
Ajo e theksoi se ishte e gatshme të largohej, por e kujtoi kryeministrin për rolin e saj si përfaqësuese e qytetit. “I thashë: ‘Po, po, edhe jashtë dal, por jam këtu si përfaqësuese e qytetit tim’. Më pas e pyeta nëse takimi ishte monolog apo dialog”, shtoi ajo.
Pas këtij incidenti, Rama vendosi që takimi të mos vazhdonte derisa Ceno të largohej. Por, situata mori një kthesë të papritur kur qytetarët e pranishëm u ngritën dhe kërkuan që ajo të mos largohej e vetme.
“Komuniteti u ngrit i gjithi dhe nuk më la të dilja jashtë. Në fund dolëm të gjithë”, përfundoi ajo.