Web Analytics

Plani për atentat ndaj kryeministrit Kurti, ekspertët: Shqetësues për sigurinë e vendit

Botuar nga: InfoKosova

Raportimet se kryeministri Albin Kurti ka qenë i rrezikuar nga një plan serb për atentat ndaj tij, sipas ekspertëve në Kosovë janë shqetësuese për sigurinë.

Sipas mediave, Kurti është kërcënuar me vrasje dje (e premte) për këtë arsye janë vendosur masa të rrepta sigurie gjatë qëndrimit të tij në Shkup të shtunën. Vetë kreu i ekzekutivit në një deklarim për media, u shpreh se “ka shumë kërcënime që rrënjët i kanë në Beograd”. Ndërsa, nga zyra e tij thanë se nervoza në Beograd pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së i ka shtuar kërcënimet dhe agresivitetin ndaj kryeministrit.

Në një prononcim për Telegrafin, eksperti Drizan Shala tha se kërcënimet ndaj krerëve institucionalë nga elementet serbo/ruse janë tashmë përditshmëri dhe se mbi këto informacione organet në vend duhet të veprojnë duke shtuar masat e sigurisë.

“Institucionet e sigurisë duhet të ndërmarrin veprime edhe në avancimin e mbrojtjes së udhëheqësve të partive parlamentare për mos lejuar që ndonjë veprim i këtyre strukturave të cenojnë sigurinë nacionale të vendit”, deklaroi Shala.

Ai tutje u shpreh se kjo është luftë hibride që Serbia e ka targetuar Kosovën në këtë periudhë.

Sipas njohësit të sigurisë, kjo situatë është shqetësuese për sigurinë pasi “veprime të tilla mund të ketë në vazhdimësi nga strukturat serbe”.

Situatën e komentoi edhe eksperti tjetër, Bedri Elezi, i cili e vlerësoi si shqetësuese nëse autoritetet e Kosovës nuk do të arrijnë që ta faktojnë planin për atentat ndaj kryeministrit.

“Sa i përket aktiviteteve për të ofruar siguri për personalitetet, në rastin konkret për kryeministrin e Kosovës, sigurisht që duhet të merren veprimet konkrete operative e sidomos kur vlerësimi i shkallës sigurisë bëhet nga ekspertët e institucioneve të cilët kanë informacione për vendin ku do të bëhet vizita”, u shpreh mes tjerash Elezi.

Ai tha se këto vlerësime bëhen konform standardeve që aplikohen nga Policia e Kosovës, përkatësisht Njësiti i Mbrojtjes së Afërt në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

“Në rastin konkret, ne e kemi parë që ka pasur një informacion, i cili fillimisht është trajtuar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë dhe më pas nga Policia e Kosovës se kryeministri është i rrezikuar nga një vizitë që do të bëjë në Maqedoni”.

“Pas këtij informacioni, autoritetet e Maqedonisë kanë marrë të gjithë masat për të ofruar siguri dhe siç duket është evituar ndonjë rrezik potencial që ka pasur kryeministri”, potencoi Elezi.

Sipas tij, në këtë fazë është e vështirë të konstatohet shkalla e rrezikut.

“Ajo që neve nuk na pëlqen është aspekti i sigurisë, pra rreziku që ka pasur kryeministri pas aktiviteteve që ka zhvilluar në Këshillin e Sigurisë në Kombet e Bashkuara, ku ka pasur një diskutim me presidentin e Serbisë”, tha njohësi i sigurisë.

“Raste të tilla mund të reflektojë tek qytetarët, të cilët në mënyrë të pakontrolluar bëjnë veprime kundrejt serbëve dhe kështu eskalon situata e sigurisë. Unë personalisht këto veprime i konsideroj si veprime spiunazhi dhe kërkoj urgjentisht nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe në koordinim me NATO-n për të marrë veprimet në rast se kërcënimet ndaj kryeministrit lidhen me spiunazh”, shtoi ai.

Ndryshe, RTK raportoi se burime të besueshme nga institucione të sigurisë në Kosovë kanë thënë se menjëherë pas mbledhjes së KS të OKB-së, kanë siguruar të dhëna se nga Serbia ka përpjekje për vrasjen e kryeministrit Albin Kurtit në Shkup, ku ka qëndruar mbrëmë.

Kurti në një deklarim për media pas arritjes në Prishtinë, tha se nuk është ndjerë i rrezikuar në kryeqytetin maqedonas, përkundër se ka mësuar se ka shumë kërcënime për të.

“Kam mësuar se ka shumë kërcënime nga individë e struktura që kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Mirëpo unë sapo erdha nga Shkupi, nuk jam ndjerë i rrezikuar, veçse kam parë shumë forca policore të cilët u kujdesen për mbledhjen në Shkup”, u shpreh ai. /Telegrafi/

RRJETET SOCIALE

1,162,113FansaPëlqeje
27,988NdjekësitNdjek
989NdjekësitNdjek
406AbonentëAbonohu

Të FUNDIT