Plas sërish mes Mateos dhe Brikenës? Veprimet e fundit tregojnë shumë

Vetëm pak ditë pasi çifti i njohur i BBVA, Brikena dhe Mateo konfirmuan ribashkimin e tyre, si duket gjërat kanë marrë një tjetër rrjedhë.

Ndjekësit kanë nisur të aludojnë se mes tyre ka plasur një tjetër krisje, duke ngritur dyshimet se dyshja mund t’i ketë ndarë sërish rrugët pas rikthimit bashkë.

Gjithçka nisi dy netë më parë në emisionin “Top Arena”, ku të dy janë pjesë e programit.

Teksa vallëzonin, Brikena largohet nga Mateo duke e lënë në një pozitë të palakmueshme, ndërsa mbrëmjen e djeshme ajo ra në sy për mungesën e saj gjatë gjithë pjesës së parë të emisionit, duke u shfaqur në ekran vetëm në rubrikën e saj.

Madje kur erdhi, ajo deklaroi:

“Tani e tutje do më shihni vetëm në rubrikën time, jam e ngarkuar me punë, por më shumë jam e ngarkuar emocionalisht.”

Kjo deklaratë kaq e fortë u pasua nga një tjetër moment që nuk kaloi pa u vënë re nga publiku dhe që lidhet drejtpërdrejt me Mateon.

Gjatë po të njëjtës mbrëmje, Mateo performoi për herë të parë në emision këngën e tij të parë me titull mjaft domethënës, “Kur të jesh larg”.

Përveç faktit që Brikena nuk ishte e pranishme në studio kur ai këndoi, ajo që ra më shumë në sy ishte mungesa totale e një reagimi apo mbështetjeje nga ana e saj për projektin e ri të partnerit.

Madje, Brikena u bë “e gjallë” në rrjetet sociale, por jo për të publikuar këngën e re të Mateos; ajo zgjodhi të ndante me ndjekësit e saj momente me ish-banoren e BBVK2, Kader Kicaj, e cila ishte e ftuar mbrëmjen e kaluar në “Top Arena”.

Kaq ka mjaftuar që rrjeti të “vlojë” nga aludimet se mes dyshes ka pasur një tjetër ‘sherr’. Mbetet për t’u parë nëse bëhet fjalë për një krizë momentale apo nëse ribashkimi i tyre zgjati vetëm pak ditë. /Prive By Liberta Spahiu

Nga Rubrika