Web Analytics

Policia: Aksioni në Banjskë vazhdon, arrestohet një tjetër sulmues me uniformë ushtarake

“Si rezultat i përkushtimit dhe angazhimit të njësiteve relevante policore, në kuadër të perimetrit të caktuar të sigurisë është arrestuar edhe sulmuesi i dytë, i cili gjithashtu ka qenë në uniformë ushtarake dhe i armatosur me armë të gjata dhe municion”, njofton Policia e Kosovës në njoftimin e radhës.

Policia njofton se deri më tani sipas informacioneve nga terreni tre sulmues janë vrarë, janë arrestuar dy sulmues dhe katër persona të dyshuar të cilët ishin hasur nën posedim ilegal të radiolidhjeve, e të cilët dyshohet se ndërlidhen me grup terroristë.

“Në orët e vona intensiteti i sulmeve ndaj zyrtarëve policorë ka rënë, por situata e sigurisë ende vazhdon të jetë e tensionuar, përderisa njësitet policore gjatë kontrollit në disa lokacione, objekte banimi dhe në disa automjete që janë përdorur nga grupi terrorist për bllokim të rrugëve, përfshirë automjetet që kanë qenë përreth manastirit në Banjskë, janë gjetur të mbushura përplot me arsenal armësh”, vijon njoftimi i Policisë së Kosovës.

Sipas informacioneve fillestare policia shton se bëhet fjalë për gjetjen e dhjetëra, qindra armëve të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, uniforma dhe pajisje logjistike, përfshirë armë ushtarake të kalibrit të rëndë si granata, zolla, mitralozë, kallashnikov etj. etj.

Policia e Kosovës nën udhëheqjen e prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në bashkë koordinim edhe me EULEX-in dhe KFOR-in, kanë hyrë në objektet përcjellëse të manastirit të Banjskës, për realizim të detyrave zyrtare.

Nga rubrika