Policia e Kosovës ka njoftuar se po vazhdon angazhimin e saj për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë protestës së paralajmëruar për sonte në orën 21:00 në sheshin qendror të Prishtinës, e cila është në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Me qëllim të ruajtjes së rendit publik, Policia ka theksuar se, pas protestave të qeta, disa pjesëmarrës, përfshirë individë me maska, kanë vazhduar të lëvizin me automjete nëpër kryeqytet. Këto vozitje janë cilësuar si të pakontrolluara dhe të rrezikshme, duke rrezikuar sigurinë e pjesëmarrësve në trafik dhe këmbësorëve.
Veprimet e Policisë në terren kanë për qëllim parandalimin e vozitjeve të rrezikshme dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve. Ajo është e angazhuar për të siguruar një qarkullim të lehtë dhe të sigurt në rrugët e kryeqytetit.
Policia ka sqaruar se pretendimet në rrjetet sociale, që thonë se qytetarët po ndalohen apo ndëshkohen për shkak të flamujve të UÇK-së, janë të pavërteta. Ajo ka theksuar se nuk është ushtruar dhunë ndaj askujt për shkak të simboleve historike kombëtare, por vetëm për shkak të shkeljeve ligjore.
Komunikata e plotë:
Angazhimet policore në mbarëvajtje të protestës dhe trafikut rrugor
Prishtinë, 20 shtator 2026
Policia e Kosovës, në kuadër të angazhimeve të saj për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, vazhdon të angazhojë kapacitetet e veta njerëzore dhe logjistike për të menaxhuar protestën e paralajmëruar sot në orën 21:00 në sheshin qendror të Prishtinës.
Siç kemi njoftuar edhe më parë, pas protestave të qeta, një grup pjesëmarrësish, përfshirë persona me maska, kanë vazhduar të protestojnë duke vozitur në mënyrë të pa kontrolluar, duke rrezikuar jetën e tyre dhe të tjerëve në trafik.
Veprimet e Policisë kanë për qëllim parandalimin e ngasjes së rrezikshme dhe mbrojtjen e jetës së këmbësorëve, si dhe lehtësimin e qarkullimit të trafikut në përgjithësi.
Policia e Kosovës përgënjeshtron fuqishëm dezinformatat e shpërndara në rrjetet sociale, që pretendojnë se qytetarët po ndalohen apo ndëshkohen për shkak të flamujve të UÇK-së.
Me përgjegjësi të plotë, ju njoftojmë se Policia nuk ka ndaluar, ndëshkuar, apo ushtruar dhunë ndaj asnjë qytetari për shkak të simboleve historike, por vetëm për shkak të shkeljeve ligjore.
Garantimi i sigurisë për qytetarët dhe menaxhimi i protestës në mënyrë të qetë dhe të sigurt janë detyra kryesore e Policisë së Kosovës, të cilat bëhen në interes të sigurisë së përgjithshme.
Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunim dhe mirëkuptim, duke i inkurajuar ata të mbështeten vetëm në informacionet zyrtare dhe të shmangin përhapjen e pretendimeve të pakonfirmuara, të cilat mund të ndikojnë negativisht në perceptimin e sigurisë.