Një ngjarje e pazakontë ka tronditur botën e futbollit, duke e bërë portierin Sipho Maseti të TS Galaxy protagonist të një episodi që ka bërë xhiron e rrjeteve sociale.
Në një ndeshje të tensionuar ndaj Siwelele FC, e zhvilluar në kuadër të kampionatit jug-afrikan, rezultati ishte në barazim 2-2 kur ndodhi një moment që askush nuk e priste. Në minutat shtesë, Maseti doli për të kapur një top të gjatë të kundërshtarit, por gabimisht e ndjeu veten ende brenda zonës së rreptësisë.
Gabimi i tij i rëndë erdhi kur ai e preku topin me duar, duke menduar se ishte brenda vijave të lejuara. Por realiteti ishte ndryshe; ai ndodhej disa metra jashtë zonës, duke e bërë veprimin e tij të paligjshëm.
Arbitri, pa asnjë hezitim, i tregoi kartonin e kuq, duke e ndëshkuar për prekje të qëllimshme të topit me dorë jashtë zonës. Ky vendim shkaktoi habi dhe diskutime të shumta midis tifozëve dhe ekspertëve të futbollit.
Raportimet e mediave ndërkombëtare sugjerojnë se konfuzioni mund të ketë ardhur nga vijat shtesë në fushë, pasi stadiumi ku u zhvillua ndeshja përdoret gjithashtu për ndeshje regbie. Disa shenja mund të kenë krijuar një situatë të paqartë për portierin.
Megjithatë, pavarësisht këtij gabimi të madh, skuadra e TS Galaxy arriti të ruajë barazimin 2-2. Portieri rezervë, Ira Tape, bëri një pritje vendimtare pas goditjes së dënimit që pasoi kartonin e kuq, duke i dhënë mundësi skuadrës të mbante rezultatin.