Hani i Elezit, 14 Janar 2025 – Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta, u prit me entuziazëm dhe mbështetje të jashtëzakonshme nga qytetarët e Hanit të Elezit në një tubim madhështor të organizuar si pjesë e fushatës së tij zgjedhore. Salla ku u mbajt ngjarja ishte e stërmbushur, me flamuj kombëtarë dhe simbolet e Vetëvendosjes, të cilat dominonin atmosferën festive.
Mirsad Shkreta, numri 41 i listës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës, po garon për mandatin e tij të dytë në zgjedhjet që do të mbahen më 9 shkurt 2025. Si një stomatolog i mirënjohur dhe aktivist politik i palodhur, Mirsadi gëzon një mbështetje të gjerë në mesin e qytetarëve të Hanit të Elezit dhe më gjerë.
Gjatë fjalimit të tij, Shkreta u shpreh falënderues për pjesëmarrjen masive dhe theksoi se besimi i qytetarëve është shtysa kryesore që e motivon të vazhdojë angazhimin e tij për të mirën e Kosovës. Ai premtoi vazhdimin e reformave në fusha të ndryshme, duke u fokusuar tek zhvillimi ekonomik, përparimi i sektorit të shëndetësisë dhe fuqizimi i rëndësisë së profesionistëve të rrinj në Kosovë.
“Kosova ka nevojë për njerëz të cilët punojnë për zhvillim, drejtësi dhe dinjitet. Së bashku, nga cepi në cep, do ta transformojmë vendin tonë për të arritur vizionin tonë të një Kosove të barabartë dhe prosperuese,” tha Mirsadi, duke përfunduar me duartrokitje të fuqishme nga turma.
Motoja e kësaj fushate “Cep më Cep” pasqyron ambicien e Lëvizjes Vetëvendosje për të prekur çdo qytetar dhe secilën pjesë të vendit me energjinë dhe përkushtimin e tyre. Ndërsa slogani “500K Zemra” përfaqëson synimin për ta fituar besimin e më shumë se 500 mijë qytetarëve të Kosovës në këto zgjedhje.
Me flamuj shqiptarë dhe amerikanë që valëviteshin në sfond, si dhe energjinë që ndizej në secilën pjesë të sallës, ky tubim u përjetua si një shenjë e fortë e mbështetjes së gjerë për Mirsad Shkretën dhe Lëvizjen Vetëvendosje në këto zgjedhje vendimtare. Hani i Elezit dha një mesazh të qartë: qytetarët janë të gatshëm për ta mbështetur ndryshimin, duke filluar nga cepi në cep.