Organizata Demokracia në Veprim ka publikuar raportin e parë nga monitorimi i procesit zgjedhor në Kosovë, duke evidentuar disa parregullsi dhe sfida në qendra të caktuara të votimit.
Sipas DnV-së, megjithëse procesi ka nisur përgjithësisht i qetë dhe i rregullt, në disa vendvotime janë regjistruar vonesa në hapje, probleme teknike me kamerat e sigurisë, mungesë të zyrtarëve policorë dhe vështirësi në qasjen për personat me aftësi të kufizuara.
Organizata ka angazhuar 500 vëzhgues në 500 vendvotime në të gjithë vendin, të cilët po monitorojnë procesin nga hapja e qendrave të votimit deri në përfundimin e numërimit të votave.
Sipas të dhënave të mbledhura në terren, rreth 1.6 për qind e vendvotimeve janë hapur me vonesë, kryesisht për shkak të mungesës së komisionerëve ose pajisjeve të nevojshme për organizimin e procesit.
DnV ka raportuar gjithashtu se në 2 për qind të vendvotimeve janë evidentuar probleme me funksionalizimin ose pozicionimin e kamerave, çka mund të ndikojë në ruajtjen e fshehtësisë së votës.
Një tjetër shqetësim i ngritur në raport lidhet me mungesën e grave në administrimin e procesit zgjedhor. Sipas vëzhguesve, në 16 për qind të vendvotimeve nuk ka asnjë grua komisionere.
Sa i përket qasjes për personat me aftësi të kufizuara, DnV vlerëson se rreth 19 për qind e qendrave të votimit ende nuk ofrojnë kushtet e nevojshme për qasje të lehtë dhe të pavarur.
Në disa raste janë evidentuar edhe materiale promovuese të partive politike pranë qendrave të votimit, ndonëse rregullat zgjedhore ndalojnë vendosjen e tyre brenda një distance prej 100 metrash.
Raporti thekson gjithashtu se në rreth 10 për qind të qendrave të votimit nuk është vërejtur prania e zyrtarëve policorë, edhe pse ligji parashikon angazhimin e tyre gjatë procesit zgjedhor.
Ndërkohë, DnV u ka bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe të kontribuojnë në një proces demokratik, transparent dhe të qetë.

