Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar ndalimin e personit të katërt, i cili dyshohet se është i përfshirë në vrasjen e Liridona Ademajt.
Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj, në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se i njëjti dyshohet për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.
“Iu konfirmojmë se me urdhër të prokurorit të rastit, është ndaluar i dyshuari i katërt në rastin e vrasjes së rëndë, për shkak të veprës penale ‘Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’”, ka thënë Ulaj.
Ajo mes tjerash ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor, prokurori do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtit.
Personi i arrestuar dyshohet që e ka shitur armën, më të cilën është kryer vrasja e Liridona Ademajt.
I dyshuari është arrestuar gjatë ditës së sotme nga hetuesit e Policisë së Kosovës.
Burime të Telegrafit bëjnë të ditur se i arrestuari është Tomë Doda (1974), nga një fshat i Gjakovës.
Lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt deri tani janë arrestuar katër persona, në mesin e tyre është edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
Të dyshuarit janë dërguar në paraburgim për 30 ditë në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz./Telegrafi/