Përplasja e bujshme mes këngëtarit Gjesti dhe shtëpisë diskografike “ONIMA” ka marrë përmasa edhe më të mëdha, duke përfshirë tashmë një pjesë të mirë të showbizit shqiptar.
Pas ngjarjes së rëndë ku dyshohet se Gjesti hyri i armatosur në zyrat e kompanisë, një numër i madh artistësh i dolën publikisht në mbrojtje këngëtarit, duke u rreshtuar kundër ONIMA-s për shkak të përvojave të tyre të kaluara apo pakënaqësive me menaxhmentin.
Megjithatë, pronari i ONIMA-s, Erkand Shabani, i është përgjigjur kësaj mbështetjeje me veprime ligjore.
Përmes një deklarate zyrtare në rrjetet sociale (ku paralajmëroi edhe publikimin e pamjeve filmike të sulmit), ai bëri të ditur se ka denoncuar në organet kompetente disa nga figurat publike që reaguan pro Gjestit.
Sipas Shabanit, këta artistë po përdorin ndikimin e tyre për të relativizuar krimin, duke u bërë pjesë e një fushate që justifikon dhe frymëzon dhunën përmes shpifjeve.
Në listën e personazheve të denoncuar zyrtarisht nga Shabani përfshihen emra mjaft të njohur të estradës:
• Zanfina Ismajli
• Tayna
• Yll Limani
• Vesa Luma
• Xheneta Fetahu
• G Bani
• Pleurat Zeksylaj
• Oriola Marashi
• Besa Kokëdhima
Në postimin e tij të dytë, Shabani shpjegon se kjo fushatë publike nga artistët ka dy qëllime kryesore: së pari, të ushtrojë presion mbi trupin gjykues për të lehtësuar masat ndëshkimore ndaj Gjestit, dhe së dyti, ta detyrojë ONIMA-n të pranojë një marrëveshje nën presion.
Ai paralajmëroi se këto postime të artistëve do t’i bashkëngjiten dosjes hetimore si prova për të treguar rrezikshmërinë e situatës.
