Rikthimi i Van Gogh: Piktura e tij e famshme në ankand për 180 milionë dollarë

Pas një periudhe të gjatë prej më shumë se 60 vjetësh, piktura e njohur e Vincent van Gogh, “Pemët e gështenjës në lulëzim”, ka rikthyer vëmendjen e publikut në Hong Kong, ku qindra adhurues të artit u mblodhën për ta parë nga afër këtë vepër të jashtëzakonshme.

Veprat e Van Gogh-ut janë gjithmonë në qendër të vëmendjes, por ky rikthim është veçanërisht emocionues. Sotheby’s ka njoftuar se piktura do të dalë në ankand në Nju Jork më 18 nëntor, me një vlerësim që arrin deri në 180 milionë dollarë, duke e bërë atë një nga shitjet më të mëdha të artit në histori.

Piktura, e cila u krijua në maj të vitit 1890, tregon një gështenjë të madhe në lulëzim, e cila mbulon pjesën më të madhe të kompozimit. Kjo vepër është konsideruar si një nga arritjet më të mëdha të Van Gogh-ut dhe simbolizon optimizmin dhe energjinë e tij artistike në periudhën e fundit të jetës së tij, para se ai të ndërronte jetë në moshën 37-vjeçare.

Scott Nitchel, drejtuesi i departamentit të artit modern dhe bashkëkohor në Sotheby’s, beson se ky ankand mund të vendosë një rekord të ri për veprat e Van Gogh-ut. Ai e përshkruan pikturën si një shprehje të gjallërisë dhe ngjyrave të ndezura që karakterizojnë stilin e artistit në atë periudhë.

Një nga vizitorët, Li Shanshan, udhëtoi për dy orë e gjysmë nga Shenzhen-i për të parë pikturën. Ai shprehu habinë e tij për veprën, duke thënë se nuk kishte dëgjuar më parë për të, por dëshira për ta parë e çoi atë në Hong Kong.

Ky ankand do të përfshijë gjithashtu 11 piktura të tjera, të cilat gjithashtu kanë munguar prej kohësh në ekspozita publike. Këto përfshijnë punime të njohura nga artistë si Paul Cézanne dhe Claude Monet, duke rritur më tej interesin për këtë ngjarje të madhe në botën e artit.

Historiku i pikturës është po aq intriguese. Pas vdekjes së Van Gogh-ut, vepra kaloi në duar të ndryshme, duke filluar nga vëllai i tij, Theo, dhe më pas te bashkëshortja e tij, Johanna van Gogh-Bonger, dhe djali i tyre, Vincent Willem. Historia e saj vazhdon me blerës të njohur si Samuel Fischer dhe Harriet Harris-Jonas, të cilët e ruajtën atë për dekada me radhë.

Familja Blackie e bleu pikturën në vitin 1975 përmes tregtarit të artit Wildenstein, dhe që atëherë ajo ka mbetur jashtë vëmendjes së publikut deri në shfaqjen e saj në Hong Kong, që shënon një rikthim të rëndësishëm për artin e Van Gogh-ut.

Nga Rubrika