Erjon Vishkulli, i njohur për guximin e tij, ka ndarë një përditësim të rëndësishëm për gjendjen e tij shëndetësore pas një ndërhyrjeje kirurgjikale të suksesshme.
Pas plagosjes së rëndë në syrin e majtë gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, ai ka postuar një fotografi nga shtrati i spitalit, duke shprehur optimizmin e tij për rikuperim.
“Ndërhyrja sot kaloi me sukses. Por beteja vazhdon…”, ka shkruar ai, duke theksuar se rrugëtimi i tij drejt shërimit ende nuk ka përfunduar.
Vishkulli ka njoftuar se javën e ardhshme do të nënshtruar një operacion tjetër, të cilin e konsideron si një nga më të rëndësishmit deri tani, pasi lidhet drejtpërdrejt me shikimin e tij.
“Pas gjithë dhimbjeve dhe sfidave që kam kaluar, shpresa ime më e madhe është të rikthej dritën që dua të shoh në jetën time. Nuk e di çfarë më pret, por një gjë e di: nuk do të dorëzohem kurrë!”, ka thënë ai me vendosmëri.
Në fund të mesazhit, 28-vjeçari ka falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe të vështirë, duke kërkuar forcë nga Zoti për të përballuar sfidat që e presin.
Kujtojmë se Vishkulli u plagos rëndë në syrin e majtë gjatë përplasjeve në protestën e mbajtur në Tiranë, ku dyshohet se u godit nga një plumb gome. Pas trajtimit fillestar në Shqipëri, ai u dërgua në Itali për trajtim të specializuar.
Shpresat për rikuperim janë të larta, dhe mbështetje nga publiku është një faktor i rëndësishëm për të vazhduar këtë betejë të vështirë.
