Rozana Radi ka zbuluar se është detyruar të tërhiqet nga publikimi i një kënge për shkak të problemeve me të drejtat e autorësisë.
Në emisionin “Goca dhe Gra”, këngëtarja rrëfeu se gjithçka nisi në muajin janar, kur iu propozua një projekt muzikor nga DJ Iliano.
Sipas saj, kënga rezultoi të ishte një material i lidhur me Rezarta Shkurta, e cila kishte versionin origjinal të projektit.
Rozana tregoi se, përpara se të pranonte bashkëpunimin, kishte kërkuar garanci të plota për aspektin ligjor të këngës.
Ajo theksoi se kishte pyetur nëse ishin siguruar të gjitha të drejtat e autorësisë dhe nëse dokumentacioni ishte i rregullt, duke marrë përgjigje pozitive se gjithçka ishte në përputhje me ligjin.
Duke u bazuar në këtë siguri, artistja vijoi me projektin, duke realizuar një version remix të këngës, i cili u performua edhe live më 14 shkurt në qendër të Tiranës.
Performanca u prit mirë nga publiku dhe dukej se projekti ishte gati për t’u publikuar edhe në format videoklipi.
Megjithatë, gjatë përgatitjeve për publikimin final, Rozana u përball me një realitet të papritur: kënga në fjalë rezultoi të ishte shitur dy herë nga kompozitori, duke krijuar një konflikt të qartë mbi të drejtat e përdorimit.
Kjo situatë e detyroi këngëtaren të tërhiqej menjëherë nga projekti, për të shmangur pasoja ligjore dhe për të respektuar standardet profesionale.
Rozana: Mua më është ofruar në janar një këngë nga DJ Iliano, e cila më pas rezultoi të ishte një projekt i Rezarta Shkurtës.
Para se të pranoja bashkëpunimin, pyeta nëse ishin marrë të gjitha të drejtat e autorësisë dhe firmat përkatëse nga autori dhe kompozitori.
M’u tha se gjithçka ishte në rregull dhe ligjërisht e përfunduar.
Duke qenë se Rezarta kishte versionin origjinal, ne realizuam një version remix, të cilin e performova më 14 shkurt në qendër të Tiranës.
