Amir Ahmeti, ish-ambasador, shpreh shqetësimin e tij për situatën aktuale të njohjeve të Kosovës.
Gjatë një intervistë në Info Magazine në Klan Kosova, ai theksoi se rasti i Marokut me Saharën Perëndimore mund të shërbejë si paralajmërim për Kosovën.
Ahmeti e përshkroi situatën në të cilën, pas largimit të Spanjës nga Maroku, u krijua një problem i madh me Saharën Perëndimore, e cila shpalli pavarësinë dhe u njoh nga 84 vende.
Megjithatë, ai theksoi se sot vetëm 46 vende e njohin atë pavarësi, ndërsa 38 vende e kanë tërhequr njohjen e tyre.
“Ne jemi duke e rrezikuar atë që mund të fillojnë të flasin për një territor që nuk është i njohur ndërkombëtarisht dhe fillojnë të tërhiqen njohjet gradualisht,” tha ai.
Ahmeti paralajmëroi se humbja e betejës së apelit në Hagë do të kishte pasoja të rënda për statusin e Kosovës.
“Nëse ne e humbim betejën e apelit, po e humbim shtetësinë e Kosovës,” theksoi ai, duke shprehur shqetësimin për të ardhmen e vendit.
Ky është një rrezik që duhet të merret seriozisht, pasi situata ndërkombëtare është e ndjeshme dhe e paparashikueshme.