Rritet vlera e vitrave

Kësi ndryshime kanë pësuar vlerat e pagesës së vitrave në Kosovë në këtë Ramazan.

Krahasuar me vitin e kaluar, kur ishin të ndarë në 3, 5 dhe 10 euro, tani janë përcaktuar në 5, 10 dhe 15 euro.

Kështu vendosi Bashkësia Islame e Kosovës, si institucion që rregullon normat dhe vlerën e këtyre obligimeve fetare të çdo anëtari të saj.

Profesori në Fakultetin e Fesë Islame në Prishtinë, Bahri Hoxha, i autorizuar nga BIK për t’i dhënë sqarime KosovaPressit për vendimin, thotë se kjo lidhet me standardin e jetesës.

“Standardi, jo vetëm çmimet, por standardi është i rritur dhe pastaj njerëzit në bazë të standardit të tyre, gjithherë institucioni ka dhënë më shumë sesa një standard, varësisht prej standardit që e bën agjëruesi.

Nëse në rast se agjëruesi ka një standard prej të thjeshtë, e merr atë çmimin më të ultë, ndërsa standarde të tjera janë për ata që gjatë Ramazanit kanë pasur një standard tjetër të ushqimit e kështu me radhë”, ka thënë Hoxha.

Ky sqaron edhe mënyrën se si është dhënë kjo sadaka historikisht.

“Çmimet variojnë prej pesë e tutje, caktimi i çmimit të Sadakatul Fitrit varet, fillimisht duhet të kthehemi që ta kuptojmë në esencë, tek në kohën e Pejgamberit, ajo është dhënë kryesisht nga ushqimi bazik që ka qenë në atë kohë…

Ky shtrenjtim i vlerës së kësaj pagese bamirësie, është i mirëkuptueshëm për besimtarët e fesë islame.

Qytetari Ardian Purrini thotë se vendimi është i arsyeshëm duke marrë parasysh gjendjen aktuale ekonomike.

“Unë e shoh si një reagim normal sepse, siç e dimë të gjithë, gjithçka ka shkuar lartë, çmimet janë ngritur dhe me pesë euro është shumë lehtë me llogarit një shujtë më e thjeshtë, më pak se aq nuk shkon.

Prandaj, besoj që ata e kanë menduar mirë që duhet ta rrisin çmimin dhe besoj se është e arsyeshme dhe me vend..

Shpresoj se nuk do të rritet minimumi, mirëpo ne që kemi mundësi një euro dy nuk i këqyrim por duhet me mendua për ata që nuk kanë mundësi”, ka thënë Purrini.

Edhe qytetari tjetër, Bedri Llapashtica, e konsideron vendimin të drejtë duke theksuar se rritja e çmimeve është reflektim i situatës së përgjithshme në treg.

“Vendimi i Bashkësisë Islame është i drejtë… BIK nuk ka faj këtu në këto punë, domatet e të gjitha që i kemi marrë të gjitha janë duplo.

Vitrat nuk është që janë shtrenjtuar se po dëshiron Bashkësia Islame por koha po e kërkon çdo punë”, ka shtuar Llapashtica.

Ndërkohë, qytetari Bajram Mehija, që poashtu e mirëkupton vendimin, nuk e lë pa përmendur një ankesë të përgjithshme për mosrritjen e të ardhurave.

“Ata e kanë pru këtë vendim, unë ka pesë i kam paguar vjet, sivjet nga 10, edhe vajza… Të gjitha po rriten vetëm rrogat e pensionet nuk po rriten”, është shprehur Mehija.

Sadakatul Fitri është një obligim për besimtarët myslimanë që jepet në përfundim të muajit të Ramazanit, me qëllim që të ndihmohen familjet në nevojë dhe të mundësohet që të gjithë ta presin festën e Fitër Bajramit me dinjitet.

Bashkësia Islame, njëkohësisht e ka dyfishuar edhe vlerën e parave që duhet pasur një besimtar për ta paguar zeqatin prej 2.5 përqind .

Nga 5.875 euro sa ishte vjet, sivjet kjo shumë është 12.000 euro.

Nga Rubrika