Përplasja mes Selin Bollatit dhe Rogert Sterkajt ka rikthyer vëmendjen e publikut pas deklaratave të fundit të këtij të fundit, i cili ka pretenduar se mes tyre kishte ekzistuar një pakt që ndihmoi Selinin drejt fitores në “Big Brother VIP Albania”.
Selin ka reaguar ndaj këtyre pretendimeve gjatë një telefonate në emisionin “Radar”, ku ishte i ftuar edhe gazetari Elton Tozaj. Ajo e mohoi kategorikisht çdo akuzë të Rogertit, duke theksuar se fitorja e saj është rezultat i përpjekjeve personale dhe mbështetjes së publikut.
“Për mua ka mbaruar ‘Big Brother’ shumë kohë më përpara. Të vërtetat dhe transparenca ime kanë qenë 100% me publikun, si gjatë ashtu edhe pas eksperiencës në ‘Big Brother’,” tha Selin.
Ajo vazhdoi duke i cilësuar pretendimet si të pavërteta: “Këto janë të pavërteta dhe aludime të dala nga vetë personi apo nga njerëz që pretendojnë dhe besojnë të njëjtën gjë. Fitoren e kam marrë me forcat e mia, pa ndihma dhe pa backup nga askush.”
Deklaratat e Selin vijnë pas komenteve të Rogert Sterkajt, i cili kishte folur për një marrëveshje mes tyre gjatë kohës në reality show. Selin, nga ana e saj, e konsideron këtë kapitull të mbyllur dhe mohon çdo marrëveshje që ka ndikuar në rezultatin përfundimtar.
Gjatë bisedës, ajo gjithashtu ndau mendimet e saj për jetën pas “Big Brother”, marrëdhënien me Gimbon dhe projektet e reja televizive, duke lënë të kuptohet se rikthimi i saj në ekran është shumë pranë.
“Publiku është i parapërgatitur për diçka të re në televizion, por ende mbetet një sekret i vogël,” përfundoi Selin.