Fituesja e Big Brother VIP Albania 5, Selin Bollati, ka ndarë detaje nga marrëdhënia e saj me DJ Gimbon, duke zbuluar surprizën e veçantë që mori së fundmi nga partneri i saj.
Gjatë një interviste, ku ishte e ftuar së bashku me DJ Gimbon, Selin tregoi se ai e kishte surprizuar me një makinë luksoze të markës Audi, një dhuratë që, sipas saj, e emocionoi jashtë mase.
Ajo rrëfeu se gjithçka ndodhi gjatë një fundjave familjare në një vilë, ku DJ Gimbo kishte organizuar çdo detaj në fshehtësi, pa i lënë asnjë shenjë se çfarë e priste.
“Para disa ditësh ishim mbledhur familjarisht në një vilë për të kaluar fundjavën dhe Gimbo vendosi të më bënte një surprizë. Më dhuroi një makinë dhe ma solli aty, pa më treguar asgjë më parë”, u shpreh Selin.
Fituesja e BBVA 5 shtoi se makina ishte pikërisht modeli që kishte dëshiruar prej kohësh, duke vlerësuar gjestin romantik dhe të menduar mirë të partnerit të saj.
Selin Bollati dhe DJ Gimbo u njohën gjatë qëndrimit në shtëpinë e Big Brother VIP Albania, ku historia e tyre e dashurisë u kthye në një nga më të komentuarat e këtij edicioni.
Pas përfundimit të spektaklit, çifti ka vazhduar lidhjen edhe jashtë kamerave, duke ndarë shpesh me ndjekësit momente nga jeta e tyre së bashku.
