Web Analytics
E shtunë, 15 Nëntor, 2025
8.7 C
Pristina

Serbia përballet me krizën e naftës: Çfarë ndodh pas sanksioneve të SHBA-së?

Serbia po kalon një krizë të rëndë nafte, e cila është thelluar për shkak të sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara ndaj kompanisë NIS, e cila është nën pronësi ruse. Çmimet e karburanteve mund të rriten ndjeshëm, ndërsa rezervat e naftës janë të mjaftueshme vetëm për dhjetë ditë të tjera.

Rafineria e Pançevës, pjesë e Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), ka njoftuar se ka rezerva të naftës për vetëm 10 ditë. Sanksionet e SHBA-së, të cilat kanë ndikuar në furnizimin me naftë të papërpunuar, kanë shkaktuar shqetësime të mëdha për sigurinë energjetike të vendit.

Me ndihmën e shtetit, rafineria do të ketë lëndë të parë deri më 25 nëntor, por pas kësaj afati, situata mund të bëhet kritike. Punëtorët e rafinerisë janë të parët që do ta ndiejnë goditjen nëse ndalimi i punës ndodh.

Bozho Dostiq, kryetar i Sindikatës së Rafinerisë së Naftës në Pançevë, thekson se prioriteti është ruajtja e vendeve të punës dhe mbrojtja e të drejtave të punëtorëve. Ai shpreh shqetësimin se pasojat e krizës mund të prekin rreth 20,000 anëtarë të familjeve të punëtorëve të NIS-it.

Rafineria në Pançevë është thelbësore për furnizimin me karburante në Serbi, duke siguruar shumicën e produkteve të naftës për stacionet e benzinës. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar se shteti ka ndërhyrë me më shumë se 80,000 tonë naftë bruto për të mbështetur funksionimin e rafinerisë.

Serbia plotëson vetëm një të pestën e kërkesës së saj për naftë nga prodhimi vendas, ndërsa pjesa tjetër importohet. Sanksionet kanë rritur ndjeshëm importet e produkteve të naftës, por logjistika e transportit mbetet një sfidë e madhe për kompanitë e naftës.

Ekonomisti Millan Kovaçeviq paralajmëron se nëse rafineria ndalon punën, Serbia do të detyrohet të importojë derivate të gatshme nga vende të tjera, çka do të rrisë çmimet. Ai thekson se mungesat e mundshme të karburanteve do të prekin direkt konsumatorët dhe ekonominë.

Negociatat për fatin e NIS-it vazhdojnë, ndërsa presidenti Vuçiq ka theksuar se shteti do të ndërhyjë nëse situata bëhet kritike. Kërkesa e NIS-it për heqjen e sanksioneve nga autoritetet amerikane mbetet ende në pritje, duke lënë të paqartë të ardhmen e furnizimit me naftë në Serbi.

Nga Rubrika