Shfaqi këmbët në një video, arrestohet influencerja me shami në Turqi

Influencuerja turke Fatma Soydas, e njohur në mediat sociale për paraqitjen e saj me shami, është arrestuar në Turqi, pas ndjekjes penale të ngritur nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ankarasë për postimet e saj në TikTok dhe Instagram.

Fatma Soydas përballet me akuza që lidhen me “fyerjen publike të vlerave fetare” dhe “publikimin e materialeve të pahijshme”.

E njohur për aktivitetin e saj në rrjetet sociale nën emrin e përdoruesit “fffatmaase_”, ajo u ndalua dhe më pas u dërgua në gjykatë, e cila vendosi ta lërë në paraburgim.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ankarasë ka nisur një hetim mbi postimet e Soydas në TikTok dhe Instagram, duke vendosur se përmbajtja mund të përbëjë një vepër penale sipas Nenit 216/3 të Kodit Penal Turk.

Sipas njoftimit të zyrës së prokurorit, autoritetet e gjetën Soydas në Stamboll dhe lëshuan një urdhër arresti, ndërsa u theksua se hetimi vazhdon. Në të njëjtën kohë, Gjykata e 5-të e Paqes e Ankarasë urdhëroi bllokimin e aksesit në llogaritë e rrjeteve sociale që përmbanin postimet kontroverse.

Pas vendimit për të sekuestruar dhe bllokuar llogaritë e saj, këshilltari presidencial turk Oktay Saral argumentoi se masat e autoriteteve ishin të justifikuara dhe nisi një sulm ndaj atyre që ai beson se fyejnë vlerat fetare.

“Këto mentalitete devijante që përpiqen të promovojnë fyerje kundër besimit tonë me përmbajtje të lirë dhe të neveritshme duhet ta dinë se Turqia nuk është një vend ku armiqtë e fesë mund të enden të lirë”, tha këshilltari i Erdogan.

Fatma Soidas shkaktoi reagime për disa nga postimet dhe fotot e saj, të cilat ajo vetë i përshkroi si “të inskenuara” dhe produkt të inteligjencës artificiale.

Autoritetet ende nuk e kanë bërë publike se cili incident i saktë apo postim specifik ishte arsyeja për ndjekjen penale të saj, megjithatë, fotot që e tregojnë atë duke u puthur me një tjetër influencer dhe fotografia që zbulon këmbët e saj duket se kanë qenë “prova e krimit” për autoritetet turke.

Nga Rubrika