Shqipëria e barabartë në fushë, por humbja lë shije të hidhur

Humbja 2-1 ndaj Polonisë ka lënë një shije të hidhur në kampin kuqezi, por trajneri Sylvinho ka shprehur krenarinë për paraqitjen e ekipit të tij. Ai theksoi se, pavarësisht rezultatit, ekipi tregoi një shpirt gare të admirueshëm dhe një nivel të lartë përballë një kundërshtari të fortë. “Unë jam shumë i trishtuar përbrenda, por kjo është jeta, futbolli. Mund të ndodhë gjithçka,” tha ai.

Trajneri theksoi se ishte një kënaqësi të luash si i barabartë me një ekip si Polonia. “E rëndësishme është të vish këtu dhe të luash si barabartë. Jam krenar për djemtë. Futbolli është rezultat, por shpirtin e garës e kemi treguar,” shtoi ai, duke reflektuar mbi përvojën e ndeshjes.

“Ne kemi bërë ndeshjen tonë,” vazhdoi ai, duke mos dashur të vërë në diskutim performancën e lojtarëve të veçantë. “Punohet bashkë tri ditë, shihen video dhe bëhet ndeshja gati. Jam i lumtur me lojtarët në fushë, kishim mundësi për dy gola të tjerë,” tha Sylvinho, duke theksuar se futbolli është një lojë e paparashikueshme.

Ai përmendi se dy lojtarët që shënuan për Poloninë, Lewandowski dhe Zielinski, ishin të njohur për të gjithë dhe se Shqipëria kishte luajtur si e barabartë me ta. “Krenar për të gjithë lojtarët, kanë djersitur. Kemi bërë një pjesë të dytë shumë të mirë,” tha ai, duke vlerësuar përpjekjet e ekipit.

Kur u pyet për vendosjen e Pilos në vend të Hoxhës, ai shpjegoi se ishte një strategji për të përballuar forcën e kundërshtarit. “Tri vite më parë, askush nuk mund të thoshte që kjo skuadër mund të shkonte në Europian. Kemi punuar shumë dhe është një rrugëtim që duhet ndjekur,” tha ai, duke shprehur optimizëm për të ardhmen.

“E ardhmja? Unë mendoj vetëm për ndeshjen e radhës. Ndihem i trishtuar, por duhet të mendoj për ndeshjen tjetër. Duhet të shkojmë në Valencia dhe të luajmë me Ukrainën,” tha Sylvinho, duke theksuar se fokusimi në ndeshjet e ardhshme është prioriteti i tij.

Kur u pyet për formën e lojtarëve, ai theksoi se ata që luajnë janë ata që ai mendon se janë më të mirët. “Nuk jemi Brazili, por luan më i miri nga ata që mendojmë ne. Ky është një proces dhe duhet të kemi durim,” përfundoi ai, duke shprehur besimin në potencialin e ekipit.

“Jam krenar për të gjithë lojtarët që vijnë pa minuta me klubet e tyre dhe bëjnë 90 minuta si të barabartë ndaj Polonisë. Ky është realiteti ynë dhe këto janë rezultatet,” përfundoi trajneri, duke ftuar tifozët të besojnë në ekipin e tyre.

Nga Rubrika