Shqipëria forcon angazhimin në KFOR me dërgimin e helikopterëve në Kosovë

Shqipëria ka bërë një hap të rëndësishëm në forcimin e pranisë së saj në KFOR, duke dërguar kontingjentin e parë të helikopterëve në Kosovë.

Ceremonia e dërgimit u zhvillua në Bazën Ajrore të Farkës, ku 13 efektivë të Forcave të Armatosura u përgatitën për të shërbyer në këtë mision të rëndësishëm të NATO-s, në bazën ushtarake amerikane “Bondsteel”. Ky moment shënon një avancim të rëndësishëm për Forcën Ajrore dhe angazhimin e Shqipërisë në operacionet ndërkombëtare.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, theksoi rëndësinë e këtij angazhimi në fjalën e tij përshëndetëse, duke e cilësuar si një dëshmi të profesionalizmit të ushtarakëve shqiptarë dhe si një përmbushje të përgjegjësive të vendit si aleat i NATO-s.

“Kontingjenti që po dërgojmë sot është një pjesë e rëndësishme e kësaj përpjekjeje. Ai tregon se Forca Ajrore po zgjeron rolin e saj dhe se Forcat tona të Armatosura po konsolidojnë kapacitetet për të përmbushur detyra gjithnjë e më të rëndësishme në kuadër të NATO-s”, u shpreh ministri Nufi.

Ai gjithashtu theksoi se ky mision ka një rëndësi të veçantë për Shqipërinë, jo vetëm për lidhjet historike me Kosovën, por edhe për faktin se stabiliteti i Kosovës është i lidhur ngushtë me sigurinë e Shqipërisë dhe të gjithë rajonit.

“Angazhimi ynë në KFOR është i palëkundur! Jemi të përkushtuar të përmbushim përgjegjësitë tona me seriozitet dhe në bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë, për të siguruar paqen e përbashkët”, tha ai, duke theksuar se kontributi i Shqipërisë për sigurinë ndërkombëtare shkon përtej këtij misioni, duke përfshirë operacione të tjera të NATO-s dhe organizatave ndërkombëtare.

Në ceremoninë e dërgimit ishin të pranishëm figura të rëndësishme, përfshirë Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjenerallejtënant Arben Kingji, dhe Komandantin e Forcës Ajrore, Gjeneral Brigade Voci, si dhe familjarë të efektivëve që nisen për mision.

Ky angazhim i Shqipërisë në KFOR është një hap i rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe për ruajtjen e stabilitetit në rajon.

Nga Rubrika