Edhe në marrëdhëniet më të lumtura, debatet janë të pashmangshme.
Çdo çift përballet me momente tensioni, dhe ndonjëherë, zënkat janë të pashmangshme.
Por, a e dini se çfarë fshihet pas këtyre konflikteve?
Qëllimi nuk është të shmangim zënkat, por të kuptojmë arsyet e tyre dhe të përmirësojmë lidhjen tonë.
Sipas terapistes Elizabeth Earnshaw, shumë debate që nisin nga gjëra të dukshme, si peshqirët e lagur apo enët e palara, shpesh fshehin probleme më të thella. Këto konflikte mund të jenë një shenjë e tensioneve të akumuluara që kërkojnë vëmendje.
Ajo i ndan konfliktet në dy kategori: të zgjidhshme dhe të vazhdueshme.
Të parat lidhen me përditshmërinë dhe zakonisht gjejnë kompromis, ndërsa të dytat burojnë nga nevoja emocionale dhe çështje themelore që, nëse nuk adresohen, kthehen në konflikte kronike.
Sipas psikoterapistes Esther Perel, në thelb të shumicës së debateve qëndrojnë tre arsye kryesore:
Një nga arsyet kryesore për zënkat është nevoja për kontroll.
Diferencat në stilin e prindërimit, vendimmarrje apo organizimin e jetës mund të krijojnë tension. Zgjidhja nis me pranimin e dallimeve dhe me ndarjen e balancuar të kontrollit mes partnerëve.
Përveç kësaj, shpesh pas një sherri për “telefonin” apo mungesën e vëmendjes, fshihet një pyetje më e thellë: “A je këtu për mua?” Shprehja e ndjenjave me sinqeritet ndihmon në shmangien e keqkuptimeve dhe ndihmon në forcimin e lidhjes.
Ndaj, në të tilla situata, është e rëndësishme të mos shmangni konfrontimin, por të adresoni problemin real që po përjetoni në çift.
Me pak komunikim dhe gjeste që shprehin dashurinë, ky problem mund të zhduket fare lehtë.
Çdo partner ka nevojë të ndihet i vlerësuar. Kur përpjekjet kalojnë pa u vënë re, lind pakënaqësia.
Një “faleminderit” apo shprehje mirënjohjeje mund të bëjë diferencën. Pra, thojini më shpesh me zë të lartë gjërat që vlerësoni në heshtje te njëri-tjetri. Fundja, çelësi i një marrëdhënieje të shëndetshme nuk është mungesa e konflikteve, por aftësia për t’i kuptuar dhe menaxhuar ato me pjekuri emocionale.