Mbrëmë gjatë transmetimit të emisionit “Ekipi A” në ATV, u krijua një situatë e pazakontë ku reperi i njohur MC Kresha vendosi të largohet nga studio.
Gjithçka ndodhi pas një diskutimi paralel mes tij dhe Xuxit, i cili po ndërhynte në intervistën që po zhvillohej në të njëjtin moment.
Për të kuptuar më mirë rrethanat se si erdhi deri te ky veprim, redaksia jonë kontaktoi moderatoren e formatit, Doruntina Alshiqi, e cila tregoi anën e saj të ngjarjes duke na shpjeguar saktësisht se si rrodhi e gjithë situata.
Në prononcimin e saj për Prive By Liberta Spahiu, ajo e përshkroi momentin e sikletshëm:
“Në një moment vura re se MC Kresha dhe Xuxi po zhvillonin një diskutim paralel, i cili po ndërhynte në intervistën që ishte duke u zhvilluar. Pikërisht për këtë arsye, në kuadër të rolit tim si moderatore, iu drejtova me pyetjen se çfarë po diskutohej, në mënyrë që situata të sqarohej edhe për publikun.
MC Kresha zgjodhi të mos i përgjigjej pyetjes, duke reaguar me fjalët: ‘S’ka çka të intereson ty, s’po du me fol.’ Pas kësaj, ai vendosi të largohej nga studio.”
Më tej, moderatorja thekson se ky nuk ishte një debat i drejtpërdrejtë me të, por thjesht mes dy të ftuarve, Kreshës dhe Xuxit.
“Si moderatore, unë thjesht ndërhyra për të menaxhuar situatën dhe për të ruajtur rrjedhën normale të emisionit, ashtu siç e kërkon përgjegjësia profesionale e këtij roli. Respektoj të drejtën e secilit të ftuar për të zgjedhur mënyrën se si reagon në një situatë të caktuar, por besoj se detyra e moderatorit është të bëjë pyetje, të sqarojë situatat që ndodhin në studio dhe të sigurojë një komunikim të qartë për publikun. Pikërisht këtë kam bërë edhe mbrëmë, duke ushtruar me profesionalizëm detyrën time”, deklaroi ajo.
Ndërkohë, situata e la të habitur Xuxin teksa nga ana e reperit MC Kresha nuk ka pasur ndonjë reagim në rrjete sociale. /Prive By Liberta Spahiu