Arjan Konomi ka bërë një reagim të fortë ndaj Top Channel, pas publikimit të premierës së emisionit të ri “Live me Luizin”, i cili drejtohet nga Luiz Ejlli.
Me anë të një videoje të postuar në Instagram, Konomi ka shprehur dyshime mbi autenticitetin e transmetimit, duke vënë në pikëpyetje nëse emisioni është transmetuar në kohë reale, siç sugjeron titulli, apo nëse ka qenë i regjistruar më parë.
“Një skandal! Një turp i madh dhe një mashtrim i madh për televizionin Top Channel. Dje, pas shumë publicitetesh për ‘Live me Luizin’… Shikoni pak këtu. Të gjithë shqiptarët kuptojnë se ky emision është live, por ndërkohë shikoni pak këtë tabelën, thotë ‘Emision i regjistruar’”, shprehet Konomi në video.
Ai gjithashtu thekson një tjetër detaj që shfaqej gjatë transmetimit, ku programi identifikohej si “episod i regjistruar”, duke e bërë situatën edhe më të dyshimtë.
“Jemi ‘Live me Luizin’, e ftuar Eli Fara, dhe shikoni këtu çfarë nxjerrin: ‘Episod i regjistruar’”, vijon Konomi, duke treguar pamjet e transmetimit në televizor.
Konomi shoqëron videon me një reagim të gjatë, ku kritikon mënyrën se si programi është prezantuar për publikun, duke e quajtur këtë një mashtrim të madh.
“Ja si mashtrohet publiku i gjerë. Me titullin ‘LIVE’. Skandal për një televizion kombëtar me emisionin e ri ‘Live me Luizin’”, shkroi Konomi.
Megjithatë, ai e ndan përgjegjësinë mes Luiz Ejllit dhe ekipit të produksionit, duke theksuar se kritika e tij nuk është për moderatorin, por për ata që menaxhojnë formatin.
“Përgjegjësia është e produksionit dhe programacionit dhe jo e Luis Ejllit, i cili s’ka në dorë ndryshime në të tilla raste”, shkroi ai.
Konomi pretendon se gjatë kohës që publiku po e ndiqte programin si një transmetim të drejtpërdrejtë, në ekran shfaqej herë pas here shënimi “Episod i regjistruar”, duke krijuar konfuzion te shikuesit.
“S’po kuptoj në jemi Live apo është një regjistrim. Mashtrimi i bërë nga televizioni kombëtar është më i madh sesa fakti që jemi apo nuk jemi live”, vijoi ai.
Në përfundim, Konomi e lidh kritikën e tij me faktin se e ftuara e episodit, Eli Fara, ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave së fundmi, duke e bërë edhe më të rëndësishme mënyrën e prezantimit të programit.
Deri në momentin e reagimit të Konomit, pamjet e publikuara prej tij tregojnë qartë shënimet “Emision i regjistruar” dhe “Episod i regjistruar”.
Vetë titulli “Live me Luizin” nuk është mjaftueshëm i qartë për të përcaktuar nëse formati është konceptuar si transmetim i drejtpërdrejtë apo nëse fjala “Live” është thjesht një pjesë e emrit të programit.