Kryeministri i vendit, Albin Kurti gjatë vizitës në Gjermani takoi të premten ministren e Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Annalena Baerbock.
E lidhur me këtë takim ka shkruar vet Ministria e Jashtme Gjermane, gjersa njoftojnë se Baerbock në takim me Kurtin kanë folur për procesin e anëtarësimit në Këshill të Evropës.
“Pak më pak se tre javë deri në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës në Strasburg. Baerbock diskutoi me Albin Kurtin se si t’i hapet rruga anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës…”, shkruan MPJ gjermane.
Ndërkaq, lidhur me takimin kanë njoftuar edhe nga Kryeministria.
Marrëdhëniet dypalëshe, reformat demokratike, integrimi evropian i Kosovës, me theks te procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës, dhe energjia ishin çështjet kryesore për të cilat u diskutua, njofton Zyra e Kryeministrit.
“Në lidhje me këtë të fundit, kryeministri e njoftoi ministren Baerbock me suksesin e ankandit të parë diellor prej 100 MW, dhe për përgatitjet që po bëhen për ankandin e radhës me energji të erës prej 150 MW”, thuhet tutje në komunikatë.
Më tej, Kurti falënderoi shtetin gjerman për ndihmën e madhe vit pas viti, rolin aktiv në zhvillimin dhe përparimin e Republikës së Kosovës dhe për partneritet të afërt.
Ai shprehu mirënjohje për përkrahjen e Gjermanisë për kandidaturën e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe theksoi rëndësinë kyçe të mbështetjes së qeverisë gjermane deri në anëtarësimin e plotë. /Telegrafi/