Web Analytics
E shtunë, 13 Dhjetor, 2025
2.7 C
Pristina

Tardelli: Italia ka prekur fundin, udhëheqësit tanë nuk dinë nga futbolli

Marco Tardelli, ish-mesfushori legjendar i Italisë kampione bote më 1982, ka paralajmëruar mbi situatën alarmante të kombëtares në një intervistë për “La Stampa”: “Kam parë shumë, por trajner i shkarkuar, ndërkohë që është ende në pankinë, nuk më kishte ndodhur kurrë. Është surrealizëm i pastër. Një situatë absurd, që po krijon dëme të tjera për Italinë. Kemi prekur fundin, shpresoj vetëm që të mos fillojmë të gërmojmë akoma më thellë.”

A nuk mund të pritej ndeshja me Moldavinë për ta shkarkuar?
“Si mund të pretendosh që një skuadër të ndjekë trajnerin, që e kanë shkarkuar? Këta drejtues nuk kuptojnë asgjë nga futbolli, nuk dinë çfarë është një dhomë zhveshjeje dhe si menaxhohet një grup. Më mirë t’ia kishin besuar një ndeshje një trajneri të moshave, nëse donin ta largonin menjëherë Spallettin.”

Çfarë fajesh ka Spalletti?
“Ka bërë gabime dhe shihej se nuk kishte empati me lojtarët. Sidoqoftë, nëse faji është i Spallettit, është edhe i atyre që e kanë zgjedhur. Për këtë duhet të paguajnë të gjithë. Të vihen në pozita vendimmarrëse njerëz që kuptojnë vërtet nga futbolli.”

Çfarë duhej të bënte Spalletti pas humbjes me Norvegjinë?
“Kur Gravina e ka takuar pas atij turpërimi në Oslo, me siguri i ka kërkuar të japë dorëheqjen. Spalletti duhej t’i përgjigjej me një pyetje: Po ti pse nuk jep dorëheqjen? Sepse nuk është normale që trajnerët ikin e vijnë, ndërsa asnjë drejtues nuk merr përgjegjësi.”

A mjafton të vazhdohet me Ranierin ose Piolin?
“Problemi nuk është vetëm trajneri, edhe pse një si Ranieri mund të sjellë qetësi. Kjo do të ndihmonte tani që jemi në kaos. Problemi është strukturor. Trajneri ideal? Ancelotti, por Brazilit i shkoi mendja para nesh.”

Nga Rubrika