Tensioni ishte i dukshëm gjatë ceremonisë zyrtare të peshimit pak orë para se Drilon Rama të ngjitet në ring.
Një moment i nxehtë ndodhi kur ai dhe kundërshtari i tij çek, Jan Maršálek, u përfshinë në një përplasje fizike. Këto provokime dhe shtyrje, megjithatë, janë një pjesë e zakonshme e marketingut në botën e boksit, duke rritur interesin për ndeshjen.
Por, situata mori vëmendjen e të pranishmëve dhe detyroi sigurimin të ndërhynte për t’i ndarë dy boksierët.
Ky incident ndodhi vetëm pak para meçit që do të zhvillohet nesër, më 11 korrik, në “Porsche-Arena” në Stuttgart të Gjermanisë.
Ndeshja e Drilonit është pjesë e një eventi të rëndësishëm sportiv, ku sfida kryesore, e quajtur “One Last Dance”, do të sjellë përballjen mes boksierëve Felix Sturm dhe Granit Stein. Driloni ka treguar një formë të shkëlqyer fizike dhe ka lënë një mesazh të qartë për rivalin e tij pas peshimit.
Në një video të publikuar në llogarinë e tij në Instagram, ish-banori i BBVK shfaqet duke pozuar pas incidentit dhe shkruan: “Sot shpëtove, po nesër nuk shpëton!”.
Për të theksuar këtë paralajmërim, ai ka shoqëruar videon me këngën “Black Terror” të reperit të njohur Don Xhon. Tani mbetet të presim se çfarë do të ndodhë nesër mbrëma, kur përballja të zhvendoset zyrtarisht brenda ringut.