Thirrja e Xhulit nga spitali: Kombi para gjithçkaje në Marshin për Liri

Xhuliana Nura, e cila aktualisht ndodhet në spital në Zvicër duke pritur dy binjakët e saj, ka ndarë një mesazh të fuqishëm në lidhje me “Marshin për Liri” që po zhvillohet sot në Prishtinë. Ajo shpreh emocionet e saj për këtë protestë të rëndësishme, e cila mbështet ish-krerët e UÇK-së që përballen me një proces gjyqësor në Hagë.

Ky marshim, që ka tërhequr vëmendjen e shumë qytetarëve, organizohet për të shprehur mbështetje për liderët e UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, në një moment kritik për ta. Xhuli, e cila nuk mund të jetë fizikisht e pranishme, ka ndarë me ndjekësit e saj në rrjetet sociale emocionet e saj për këtë ngjarje.

Me një video të postuar në InstaStory, ajo shfaqet e përlotur teksa ndjek grumbullimin e qytetarëve që po mblidhen nga të gjitha anët për të mbështetur kauzën e lirisë. “Mirëmëngjesi, shpresoj që keni fjetur mirë. Unë kam qenë duke parë videot që po postohen për njerëzit tanë që po vijnë për marshin e lirisë”, thotë ajo në videon e saj.

Me një thirrje për bashkim kombëtar, Nura thekson rëndësinë e lënies mënjanë bindjeve politike për të mbështetur kauzën e përbashkët. “Sot nuk ka rëndësi se cilës parti i përkisni. E rëndësishme është të ndiheni shqiptar dhe të respektoni gjakun e derdhur për lirinë që gëzojmë sot”, shprehet ajo.

Ajo shpreh keqardhje për mungesën e saj fizike në këtë ngjarje, duke theksuar se kombi duhet të vijë para gjithçkaje. “Zakonisht unë jam pjesë e këtyre marshimeve, por tani ndodhem në spital. Kombi vjen para familjes”, thekson ajo me emocion.

Në një video tjetër, Xhuli thekson rëndësinë e datës dhe pastërtinë e luftës çlirimtare, duke theksuar se sakrifica e UÇK-së ka treguar botës drejtësinë e kauzës shqiptare. “Kjo datë tregon se ne jemi të pastër; lufta jonë ka qenë vetëm për mbrojtjen e familjeve tona dhe për të jetuar të lirë”, shprehet ajo.

Në përfundim, ajo apelon që kjo çështje të mos politizohet, por të nderohet çdo sakrificë e bërë për lirinë e vendit. “Çdo gjak që është derdh duhet të respektohet dhe vlerësohet, pavarësisht partisë që përfaqëson”, përfundon ajo.

Nga Rubrika