Një ngjarje e rëndë ka tronditur Prizrenin, ku një vajzë 26-vjeçare ka humbur jetën në rrethana të dyshimta, pasi dyshohet se kishte gëlltitur një qese me drogë.
Spitali Rajonal i Prizrenit ka bërë të ditur se viktima ishte dërguar fillimisht në Emergjencën e spitalit rreth orës 19:00, nga Policia e Kosovës. Pas një vlerësimi të detajuar mjekësor, ajo ishte liruar, duke u konsideruar në gjendje stabile shëndetësore.
“Gjatë pranimit, pacienteve iu janë kryer ekzaminime të plota, përfshirë radiologjinë dhe ultrazërin, por nuk janë evidentuar gjetje shqetësuese,” njoftoi spitali, duke theksuar se nuk kishte asnjë shenjë të rrezikshme për jetën.
Megjithatë, pas disa orësh, situata u përkeqësua. 26-vjeçarja u dërgua sërish në spital, këtë herë pa shenja vitale, duke shkaktuar shqetësim të madh në mesin e stafit mjekësor.
“Rreth orës 00:45, pacientja u soll sërish në Shërbimin e Emergjencës, nga ekipi i Urgjencës dhe nën mbikëqyrjen e Policisë, pa shenja vitale,” tha spitali, duke shtuar se menjëherë janë ndërmarrë masa për reanimim.
Pavarësisht përpjekjeve të shumta të ekipit mjekësor, përfshirë konsultimin me një anesteziolog, pacientja nuk arriti të mbijetojë dhe u shpall e vdekur.
Spitali ka shprehur keqardhje për këtë rast tragjik dhe ka kërkuar që rrethanat e ngjarjes të hetohen nga organet kompetente. Ata janë të gatshëm të ofrojnë çdo informacion të nevojshëm për sqarimin e situatës.
“Institucioni ynë mbetet në dispozicion për çdo bashkëpunim me autoritetet për të zbardhur këtë rast të rëndë,” përfundoi njoftimi i spitalit.