U bullizua për peshën, Georgina reagon me një mesazh të fuqishëm

Georgina Rodriguez, partnerja e njohur e Cristiano Ronaldos, ka vendosur të ndajë një mesazh të fuqishëm për vetëpranimin, duke iu përgjigjur kritikave që merr për trupin e saj.

Ajo publikoi disa foto me bikini në Instagram, duke shoqëruar ato me një rrëfim personal që thekson rëndësinë e dashurisë për veten dhe të qenit i fortë përballë komenteve negative.

“Trupi im do të ndryshojë, ashtu siç ndodh me të gjitha trupat e grave. Shpresoj që të vazhdojë të ndryshojë për shumë vite, sepse kjo do të thotë që jam ende gjallë,” shkroi Georgina, duke theksuar natyrshmërinë e ndryshimeve fizike.

Ajo theksoi se një nga mësimet më të rëndësishme që dëshiron t’u japë gjashtë fëmijëve të saj, veçanërisht vajzave, është se vlera e një njeriu nuk lidhet me pamjen fizike apo me mendimet e të tjerëve.

“Dua që ato të dinë se vlera e një personi nuk mund të varet kurrë nga pamja e tij. Kjo është ajo që përpiqem t’u mësoj çdo ditë, bashkë me Chris-in, për të cilin jam krenare për vlerat që u përcjell si baba dhe si burrë,” shprehet ajo.

Georgina ndau gjithashtu një bisedë të veçantë me Cristiano Ronaldon, i cili e inkurajoi atë të mos e ndiejë veten të lënduar nga komentet negative. Ai i kujtoi asaj se vlera e saj nuk është e lidhur me imazhin e saj.

“Ti nuk jeton sipas imazhit tënd. Ti jeton sipas asaj që je. Një grua e mrekullueshme, një nënë e dashur dhe një person i suksesshëm,” i tha Ronaldo, duke e mbështetur atë në momentet e vështira.

Modelja theksoi se kritikat për trupin e saj janë një fenomen që përsëritet çdo verë, duke ngritur pyetje mbi standardet e bukurisë. “Kush vendos se cili është trupi ‘i duhur’? A besojmë ende se lumturia ka një madhësi të caktuar?” shkroi ajo.

Georgina sqaroi se stërvitja për të nuk ka qenë kurrë një mënyrë për të humbur peshë, por një formë kujdesi për veten. “Ajo orë në palestër është një nga momentet më të mira të ditës sime. Më jep shëndet, qetësi mendore dhe energji,” përfundoi ajo.

Nga Rubrika