Emisioni “Top Arena”, i dedikuar për Botërorin 2026, ka vazhduar me një natë të veçantë, ku këngëtari i njohur Blero ishte i ftuar.
Ai ka bërë një hap të ri në karrierën e tij duke u angazhuar në menaxhimin e futbollistëve, duke përmbyllur transferimet e para me sukses.
Brikena Selmani, moderatorja e emisionit, i ka bërë një intervistë të veçantë Bleros, ku ai ndau me ne historinë e njohjes me bashkëshorten e tij dhe ndjesinë e re si baba i një djali.
Pjesë nga intervista:
Brikena: Je bërë viral për shprehjen “po s’të deshi familja, s’të don as kojshia”…
Blero: Kjo ka qenë një bisedë mes meje dhe Metit në Big Brother. E përgëzoj atë që ka bërë montazhin, sepse është shumë kreativ.
Brikena: A ke menduar ndonjëherë të shkruash një libër, duke pasur parasysh se ke bërë shumë shprehje të njohura?
Blero: Po, mund ta bëj, por do të ishte një autobiografi.
Brikena: Si po e përjeton rolin e menaxherit të futbollistëve?
Blero: Futbolli ka qenë gjithmonë pasioni im. Kam ndihmuar të rinjtë në muzikë dhe tani dua t’i ndihmoj edhe në sport.
Brikena: Si ndihesh që je bërë baba për herë të dytë?
Blero: Vajza ime do të mbetet gjithmonë numri 1 për mua, pavarësisht sa fëmijë të kem. Djali është ende i vogël, por çdo fëmijë është i shenjtë.
Brikena: Si u njohët me bashkëshorten?
Blero: Kemi pasur një shoqëri të përbashkët.
Brikena: Çfarë të bëri të dashurohesh me të?
Blero: Kur një femër të tërheq, nuk ka mundësi të ndodhë ndryshe.
Brikena: Pas tre martesave, çfarë ke fituar dhe humbur nga këto eksperienca?
Blero: Kam fituar shumë në kuptimin e jetës dhe vendimeve të mia. Nuk kam pishman për asgjë, është një mësim i rëndësishëm dhe jam krenar për njerëzit që kam njohur.