UEFA sfidon FIFA-n: Veprime penale ndaj Infantino për keqmenaxhim financiar

UEFA ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm duke përgatitur një padi penale ndaj Presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për keqmenaxhim të mundshëm financiar. Kjo padi do të paraqitet në gjykatat zvicerane dhe lidhet me një plan të dështuar të Infantino për t’ua shitur fitimet e ardhshme të Kupës së Botës investitorëve privatë.

Në një njoftim të fundit, UEFA ka bërë të ditur se ka dorëzuar dokumente në një gjykatë të Manhattan, duke kërkuar që të paraqiten provat nga Thrive Capital Management, një fond investimesh me seli në Nju Jork.

Thrive Capital, i themeluar nga Joshua Kushner, dhëndri i ish-Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ishte pritur të ishte investitori kryesor në këtë marrëveshje, duke ofruar 4.2 miliardë dollarë për një aksion prej 20% në një degë të re të FIFA-s, e cila do të menaxhonte aspektet tregtare të ngjarjeve të mëdha të futbollit.

Avokatët e UEFA-s kanë deklaruar se janë duke shqyrtuar mundësinë e fillimit të procedurave penale në Zvicër kundër Infantino dhe ndoshta edhe zyrtarëve të tjerë të FIFA-s, sipas Nenit 158 të Kodit Penal Zviceran.

Një dokument prej 56 faqesh i siguruar nga Associated Press sugjeron se shifra prej 4.2 miliardë dollarësh mund të jetë një “çmim mashtrues jashtë tregut i promovuar nga Infantino për përfitimin e tij personal”. Kjo marrëveshje u braktis nga Infantino më 1 gusht, pas protestave të forta nga drejtuesit e lartë të futbollit botëror, përfshirë UEFA-n.

 

Nga Rubrika