Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Roberth Bosch, e ka cilësuar si të papranueshëm verdiktin e Gjykatës Speciale ndaj katërshës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi.
Në një intervistë për KosovaPress, ai shprehu habinë se as trupi gjykues dhe as prokurorët nuk kanë marrë parasysh rrethanat e luftës në Kosovë, si dhe deklaratat e ekspertëve ndërkombëtarë që ishin angazhuar në atë periudhë, më shumë se një çerekshekulli më parë.
“Mendoj se është një vendim skandaloz. Gjyqtarët dhe prokurorët duket se nuk i kanë dëgjuar ekspertët që kanë folur për strukturat e UÇK-së, duke theksuar se nuk kishte një strukturë të tillë. Këtë e kanë pohuar zoti Clark, zoti Hill, zoti Rubin dhe shumë të tjerë. Edhe unë e kam theksuar këtë, por ata nuk më dëgjojnë, sepse isha personi kontaktues ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe asaj të Mbrojtjes. UÇK-ja ishin “çizmet në terren”, por komunikimi ishte shumë i vështirë, pasi nuk kishte strukturë. Si mund t’i akuzoni Thaçin dhe Rexhepin për koordinim kur nuk kishte koordinim?”, tha Bosch.
Ai gjithashtu theksoi se është e rëndësishme të kuptohet se ngjarjet ndodhën 26 vjet më parë, kur teknologjia e komunikimit ishte shumë e kufizuar. “Në atë kohë nuk kishte telefona portativë, iPhone nuk ekzistonte. Duhej të komunikosh përmes telefonit satelitor, i cili shpesh nuk funksiononte. Kështu, ishte shumë e vështirë të kishte ndonjë lloj koordinimi”, shtoi ai.
Bosch, i cili ka shprehur pendesë për mbështetje ndaj themelimit të Gjykatës Speciale, beson se koha ka treguar se kjo gjykatë duhet të mbyllet.
“Sipas meje, e gjithë kjo gjykatë nuk duhet të ekzistonte. E gjithë kjo erdhi për shkak të raportit të Martyt, i cili fliste për trafikim organesh. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, do të ishte e tmerrshme. Të gjithë u shqetësuan dhe thanë se duhet të hetohet seriozisht. Por kur gjyqtari Williamson hetoi dhe e vërtetoi se nuk kishte trafikim organesh, atëherë nuk kishte më arsye për të vazhduar”, tha ai.
Me verdiktin e shkallës së parë, Bosch shpreh pesimizëm për vendimin e shkallës së dytë, duke u habitur nga përkatësia kombëtare e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Nuk pres shumë nëse janë përsëri të njëjtët njerëz që duhet të shqyrtojnë punën e tyre. Të gjithë janë nga Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që kjo është një gjykatë e Kosovës e paguar nga evropianët. Nuk e kuptoj se si ndodhin këto gjëra”, tha Bosch.
Megjithatë, ai sheh një mundësi për zgjidhje përmes institucioneve të Kosovës.
“Gjyqtari e nisi duke thënë se kjo ishte një gjykatë e Kosovës. Nëse është kështu, a nuk mundet presidenti t’i falë të gjithë? Në një shtet normal, presidenti ka kompetencë të falë persona të caktuar. Nëse ata pretendojnë se janë një gjykatë e Kosovës, atëherë bien nën juridiksionin e Kosovës. Kush është shefi në Kosovë? Nuk janë ata, është presidenti”, tha ai.
Ndërsa kjo nuk ndodh, Bosch është i bindur se fituesja e vetme në këtë proces është Serbia.
“Kjo është shumë negative për Kosovën. Por është e mirë vetëm për serbët. Në raportin e Martyt thuhej se shumica e krimeve ishin kryer nga serbët. Pse nuk ka një gjykatë speciale kundër serbëve? Ata janë ulur në qeveri dhe një nga personat më kriminalë është në krye të forcave të armatosura”, përfundoi Bosch.