Web Analytics
E diel, 26 Maj, 2024
18.7 C
Pristina

Vrasja e 21-vjeçares në Ferizaj, të hënën protestohet në Prishtinë: Siguria e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare

Në shenje revolte dhe reagimi për vrasjen e 21-vjeçares në Ferizaj, Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist, të hënën në orën 17:30 organizon protestë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

21 vjeçarja E.C, u vra sot nga ish-bashkëshorti i saj V.A., 36 vjeç, në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj. I plagosur mbeti vëllai i viktimës 15 vjeç. Dyshohet se çifti kishin mosmarrëveshje për kujdestarinë e fëmijëve.

Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist ka thënë se vrasja e fundit tregon se gratë në Kosovë nuk janë të sigurta askund.

“Edhe një grua tjetër u vra në sytë e shtetit. Edhe një jetë e humbur që kumbon luftën që na është shpallur grave në Kosovë e që disa nga ne po i vret”, thuhet në komunikatën e kësaj organizate.

“Ky rast i femicidit është duke treguar që vajzat dhe gratë në Kosovë nuk janë askund të sigurta. Ato dhunohen e vriten në shtëpi, në strehat e shtetit, në rrugë e në spitale, pa mbrojtje e pa siguri nga shteti”.

Sipas kësaj organizate, “Femicidi dhe lufta që iu është shpallur grave duhet të na revoltojë të gjitha/ë dhe të na ngrisë në këmbë shesheve dhe rrugëve në Prishtinë e kudo për të kërkuar që shteti me të gjitha strukturat e saj t’iu dalë në krah vajzave dhe grave dhe ta trajtojë femicidin si urgjencë kombëtare. Ne si shoqëri duhet të ngrihemi e ta luftojmë bashkë këtë patriarkalitet që nuk po lë strehë të sigurtë për gratë deri sa ua merr edhe frymën e fundit”.

“Teksa vajzat e gratë janë duke luftuar me këtë sistem vdekatar me jetën e trupat e tyre, ne nuk mund të qëndrojmë të qeta e të vazhdojmë jetën me ritme normale. Ne duhet të dalim nga shtëpitë, zyret, punishtet, klasët e mësimit e kafenetë dhe ta denoncojmë e sfidojmë rendin patriarkal që po ushqen dhunë të përditshme ndaj vajzave dhe grave dhe femicid”.

“Ne thërrasim në revoltë dhe demonstratë gjithëpopullore, këtë të hënë në sheshin “Zahir Pajaziti” duke filluar nga ora 17:30. Të hënën e çdo ditë tjetër luftojmë për sigurinë tonë dhe të çdo vajze dhe gruaje në Kosovë. Luftojmë që asnjë grua të mos frikësohet, dhunohet a vritet”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/

Të fundit