Zbulimi i defekteve në hekurudhat zvicerane me inteligjencën artificiale

Dy trena diagnostikues të SBB-së kontrollojnë rreth 2,000 kilometra hekurudhë çdo muaj, duke përdorur kamera, pajisje matëse dhe inteligjencë artificiale.

Hekurudhat Federale Zvicerane (SBB) kanë ndërmarrë një hap të rëndësishëm në përmirësimin e sigurisë së transportit duke integruar inteligjencën artificiale në procesin e diagnostikimit të rrjetit hekurudhor. Kjo teknologji moderne ndihmon në identifikimin e defekteve dhe rrit efikasitetin e operacioneve.

Me shpejtësi deri në 120 km/h, dy trena të posaçëm diagnostikues lëvizin përgjatë shina, duke filmuar dhe matur çdo detaj të infrastrukturës. Pamjet e regjistruara analizohen nga inteligjenca artificiale, e cila ka aftësinë të zbulojë dëmtime dhe probleme të ndryshme.

Çdo muaj, këta trena mbulojnë një distancë të madhe, duke kontrolluar rreth 2,000 kilometra shina dhe duke zbuluar deri në 1,500 defekte, shumica e të cilave janë të vogla. Ky sistem është i aftë të identifikojë probleme në sipërfaqen e shinave, kapëset e dëmtuara dhe devijime shumë të vogla në infrastrukturë.

Eksperimentimi me këtë teknologji ka filluar rreth dhjetë vjet më parë, por rezultatet fillestare nuk ishin të kënaqshme. Megjithatë, përmirësimi i vazhdueshëm i inteligjencës artificiale ka bërë që ky sistem të arrijë një nivel të lartë saktësie dhe efikasiteti.

Sidoqoftë, SBB thekson se inteligjenca artificiale nuk është një zëvendësim për punonjësit e saj. Kontrollet njerëzore mbeten të domosdoshme për të adresuar problemet që sistemi nuk arrin t’i identifikojë, si dhe për të kryer riparime të nevojshme për defektet e zbuluara.

Nga Rubrika