Aktori i njohur turk, Tolgahan Sayışman, është parë së fundmi në Alaçatı, ku po kalon pushimet verore me bashkëshorten e tij, modelen shqiptare Almeda Abazi.
Gjatë një bisede të shkurtër me gazetarët, ai ndau mendimet e tij mbi arsyet që e kanë detyruar të largohet nga ekranet televizive dhe planet e tij për të ardhmen. Ai theksoi se është duke u fokusuar më shumë në projekte digjitale, duke shprehur dëshirën për të rikthyer fuqinë e kinemasë.
“Aktualisht, po i jap më shumë rëndësi platformave digjitale. Do të doja shumë që filmat e kinemasë të riktheheshin në nivelin e tyre të mëparshëm dhe të gjallëronin sërish. Ndërsa për televizionin, kam qenë më i distancuar për disa vite,” shpjegoi ai.
Kur u pyet për arsyet e kësaj distance nga projektet televizive, Tolgahan pranoi se ritmi i punës e kishte lodhur. Ai theksoi se lodhja mentale ishte një faktor i rëndësishëm në këtë vendim.
“Kam punuar për shumë vite me radhë në ekran dhe lodhja ka bërë të vetën. Dëshiroja të përkushtohem më shumë në projekte kreative, por mbi të gjitha, doja të kisha më shumë kohë për fëmijët dhe familjen time,” përfundoi aktori.